Maqedoni

Arrestohet Avni Zeneli nga Kumanova

02.01.2015 19:04

Policia ka arrestuar të shumëkërkuarin, Avni Zenelin, nga Kumanova, i njohur ndryshe edhe si Avni Sllamarica...

Ndaj tij ishte lëshuar fletëarrest për shkak të kryerjes së shumë veprave penale, përfshirë edhe vrasje, për çka është dënuar me burg të përjetshëm. 
 
"Është arrestuar 47 vjeçari, Avni Zeneli, nga Kumanova, për të cilin ishte lëshuar fletarrestim për mbajtjen e dënimit me burg të përjetshëm. Avni Zeneli është kryerës i vrasjes më 9 nëntor të vitit 2013 në Shkup, në lagjen Çair, ku me 5 plumba me pistoletë ka vrarë 46 vjeçarin, Zeqirja Zeqirin, nga Gostivari"- deklaroi ndihmësministri për Marrëdhënie me Publikun, Ivo Kotevski.
 
Mbi Avni Zenelin rëndojnë akuza edhe për disa vrasje në tentativë, ndërsa në dosjen e tij përfshihen edhe akuzat për tregti me armë dhe me mjete shpërthyese, si dhe për prodhimin dhe lëshimin në treg të drogave narkotike. 
 
Arrestimi i Avni Sllamaricës është bërë nga forca të shumta të policisë pasditen e së enjtes. 
 
Po ashtu, policia ka konfirmuar se një vajzë dhe një djalë u gjetën të vdekur brenda makinës “Opel Corsa”, e parkuar brenda një garazhi në lagjen Kisella Vodë dhe po hetohen shkaqet që shkaktuan vdekjen e dy të rinjve, megjithëse dyshohet se vdekja është shkaktuar nga tymi i veturës.
 
GYLTENE SINANI