Maqedoni
LSDM: Opozita pengoi rritjen e pagave të arsimtarëve
14.04.2022 14:26
Fajin për pagat e ulëta dhe protestën e arsimtarëve, socialdemokratët e adresojnë te opozita maqedonase...

Fajin për pagat e ulëta dhe protestën e arsimtarëve, socialdemokratët e adresojnë te opozita maqedonase. Sipas tyre, bllokada e punës në Kuvend nga VMRO-DPMNE, gjegjësisht ndaj Ligjit për arsimtarët, ka penguar rritjen e pagave për arsimtarët. Opozita na pengon në vlerësimin e punës së mësuesve, ndërsa ndërprerja e mësimit është e dëmshme për nxënësit.
“Me Ligjin për arsimtarët dhe bashkëpunëtorët profesional, ligj të cilin VMRO-DPMNE e ka bllokuar gjatë gjithë vitit, ne ofrojmë transformim të marrëdhënieve të punës për rreth 4700 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesional në arsimin fillor dhe të mesëm. Po të ishte miratuar ky ligj, tani do të rriteshin pagat e mësimdhënësve dhe do të kishin siguri ekonomike në vendet e tyre 4700 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesional.”,- thuhet në komunikatën e LSDM-së.
VMRO-DPMNE: Mjaft manipuluat, pse nuk ka para për arsimtarët?
I menjëhershëm edhe reagimi nga pallati i bardh. Ata kërkojnë përgjigje nga partia e Kovaçeskit, se si kanë para për gjithçka tjetër e jo për punonjësit arsimor.
“Nevojat bazë për jetesë të qytetarëve u rritën nga 30 deri në 110%. Për këtë arsye kërkesa e pedagogëve për rritje pagash është e justifikuar, deri në atë masë që pagat e tyre mezi janë mbi pagën minimale. LSDM në vend që të manipulojë opinionin dhe të bëjë presion mbi edukatorët, të përgjigjet se si mund të ketë një milion euro për studimin e fizibilitetit kriminal, 2 milionë euro për mobilie dhe lule, 2.5 milionë euro për vetura zyrtare dhe nuk kanë për paga më të larta të punonjësve arsimorë që edhe u takon bazuar në kontratën kolektive.”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga kjo parti paralajmërojnë se do të propozojnë Ligjin për nivelizimin e koeficientit të kompleksitetit për vendet e punës në arsim, me të cilin do të rriten pagat në arsim.
SANIJE DURAKU
