Maqedoni
Vaji për gatim, në shumë markete mungonte
14.04.2022 15:12
A ka vaj për gatim nëpër markete apo jo? Për të hequr këtë dilemë, ekipi ynë doli në terren për të parë situatën nga afër....

A ka vaj për gatim nëpër markete apo jo? Për të hequr këtë dilemë, ekipi ynë doli në terren për të parë situatën nga afër. Në shumë markete mungonte vaji për gatim.
- Gazetari: A ka vaj për gatim?
Shitësja 1: Jo s’kemi!
- Gazetari: A ka vaj për gatim?
Shitësja 2: Nuk kemi!
Për të gjetur një litër vaj për gatim në Shkup duhesh të bësh kilometra. Ne më në fund gjetëm vajin për gatim, mirëpo çmimet janë më të larta. Ata shkojnë prej 130 denarë deri në 156 denarë.
Edhe qytetarët shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me situatën me vajin. Sipas tyre, në shumë markete nuk ka vaj për gatim, ndërsa te ato që ka, çmimet janë shumë të larta.
“Kemi kërkuar, nuk ka. Krejt marketet i kemi ecur, nuk ka askund.”,- tha një qytetar.
“Çmimet janë katastrofale, qeveria tha se ka ngrirë çmimet, kurse 1 litër vaj 156 denarë.”,- u shpreh një qytetar.
“Çmimet e larta, i fshehin, e ruajnë vajin. Njerëzit nuk kanë mundësi të blejnë 150 denarë, ne nuk jetojmë në Gjermani. Këtu rrogat janë të dobëta, me 300 euro, ku me t’i çojmë paratë së pari.”,- u shpreh një qytetar.
“Nëpër markete nuk ka, por në treg mund të gjesh.”,- tha një qytetar.
Bekteshi: Qytetarët nuk mund të blejnë vaj me shumicë
Për të shmangur situatën me mungesën e vajit, Ministria e Ekonomisë ka sjellë vendim për të kufizuar blerjen e vajit. Për secilin blerës individual që do të blejë vaj luledielli për ushqim në objektet tregtare, gjatë ditës do të kufizohet shitja e sasisë së vogël në paketim të vetëm. Bekteshi pret që ky rekomandim të respektohet nga tregtarët dhe konsumatorët.
“Besoj se kanë filluar veç më ta realizojnë rekomandimin tonë. Në përputhje me politikat e tyre, me rezervat e tyre do të kufizojnë shitjen e vajit. Asnjë qytetarë, asnjë konsumator nuk do të mbetet pa vaj, por gjithsesi se do të ndalojmë që ajo të keqpërdoret. Tregtarët në pakicë do të munden të lajmërojnë inspektoratin nëse ndonjë prej konsumatorëve kërkon 40 apo 50 litra vaj. Ajo nuk do të lejohet.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Për të ruajtur situatën aktuale në tregun vendorë me vajin e lulediellit për gatim në dyqane kufizimi për konsumatorët do të jetë i vlefshëm deri më 31 maj 2022.
ERSAN PAJAZITI
