Maqedoni

Drejtësia për hendbollistin kroat, ASh: Prokuroria me standard të dyfishtë

14.04.2022 16:02

Aleanca për Shqiptarët akuzon Prokurorinë Publike për standard të dyfishtë në kualifikimin e rasteve të ngjashme....

Aleanca për Shqiptarët akuzon Prokurorinë Publike për standard të dyfishtë në kualifikimin e rasteve të ngjashme. Sipas ASh-së, vrasja e hendbollistit kroat është e ngjashme me atë të të riut, Nikolla Sazdovski, mirëpo veç MPB edhe prokuroria tentojnë të mbrojnë sulmuesin. “Në drejtësi një rol të rëndësishëm luan praktika gjyqësore, si mekanizëm për të krahasuar cilësinë e drejtësisë.”- thotë deputeti Snopçe.
 
“Edhe sipas përshkrimit të lëndës nga ana e prokurorisë, vërehet se dy rastet ja identike, dhunë fizike, goditje të kokës në send të fortë që ka sjellë pasojë vdekjen e kështu me radhë. Por, në mes dy rasteve ka një dallim të madh. Në rastin e Sazdovskit prokuroria ngriti padi për vepër penale vrasje sipas nenit 123, pika 2, paragrafi 1, ku parashihet dënim minimal prej 10 vite burg ose burg të përjetshëm dhe epilogun e dini të gjithë. Në rastin e fundit e njëjta prokurori, veprën e ka kualifikuar në bazë të nenit 123, por pika 1 ku dënimi është përgjysmë më i ulët dhe parashihet të paktën 5 vite burg.”,- tha deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
 
ASh pyet prokurorinë se çfarë ndryshon në këto dy raste kur të gjitha rrethanat dhe veprimet janë të njëjta. “Mos vallë jeta e një të riu kroat është më pak e vlefshme sesa jeta e një të riu maqedonas apo, ndoshta ndryshon fakti se në rastin e fundit dhunuesit ishin maqedonas dhe në rastin e Sazdovskit sulmuesit ishin shqiptarë!? - pyesin nga ASh.
 
Sipas partisë së Selës, ky rast edhe një herë dëshmon drejtësinë e dyfishtë dhe arsyen e vërtetë për ngecjen në procesin e integrimit evropian. 
 
SHPËTIM NUREDINI