Maqedoni
Greva gjenerale në arsim, MASh: Mësimi dhe negociatat të zhvillohen paralelisht
14.04.2022 16:11
Do të dorëzohet kërkesë deri te përfaqësuesit e SAShK-ut që negociatat të vazhdojnë...

Do të dorëzohet kërkesë deri te përfaqësuesit e SAShK-ut që negociatat të vazhdojnë, por njëkohësisht të vazhdojë edhe mësimi. Kjo është kërkesa e ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, i cili konsideron se nxënësit duhet të kthehen në bankat shkollore. Ai më tej tha se e drejta e grevës është legjitime, paga më të larta do të ketë dhe shpreson se nëse jo nesër nga e hëna, procesi arsimor do të normalizohet.
“Ky proces duhet të mirëkuptohet, mësim duhet të ketë, ne do ta arrijmë dhe do ta japim edhe atë numër por nuk duam që ky proces të kushtëzohet me nxënësit. Ne tërë kohë të themi të dëgjojmë ofertën, por pastaj vendosim për mësim, këtë gjë nuk e duam.”,- deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
SAShK: Anëtarësia do të votojë propozimin e MASh-it
Nga SAShK thonë se janë evidentuar presione ndaj edukatoreve në çerdhe dhe janë kërkuar lista për prezencë, por kjo nuk guxon të ndodh. Nedellkov tha se shkresa nga MASh për mbajtjen e mësimit paralelisht me zhvillimin e negociatave ende nuk ka arritur, parashihet që e njëjta do të debatohet me anëtarësinë.
“Të shprehen organizatat sindikale se a është e pranueshëm ai model i negociatave nëse 50 për qind plus 1 shprehen se e pranojnë propozimin, nuk do të ketë problem por nëse thonë që jo për fat të keq ne duhet të mos e pranojmë këtë propozim.”,- tha Jakim Nedellkov nga SAShK.
MPPS: Dialogu social vazhdon
Nga MPPS thonë se dialogu social vazhdon, por ende nuk e dinë a do të ketë alokim të mjeteve për rritjen e pagave në çerdhe.
“Dialogu social vazhdon dhe deri në momentin kur të kemi zgjidhjen përfundimtare, ne nuk mund të flasim për alokim të mjeteve, sepse në kërkesën që SASHK-u e ka dërguar deri te MPPS, përskaj rritje së pagave, kanë edhe kërkesa tjera.”,- u shpreh ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençevska.
Greva e punonjësve të arsimit po vijon. Në ditën e katër të saj gjendja është e njëjtë, nuk ka realizim të procesit mësimor.
“Greva vazhdon deri në realizimin e kërkesave të SASHK-ut, nxënës nuk ka, në shkollat që vizitova deri tani nuk ushtrohen presione ndaj mësimdhënësve. Shpresojmë se greva nuk do të vazhdojë gjatë dhe do të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.”,- theksoi përfaqësuesi i SAShK-ut, Zenafer Bajmak.
Nga SAShK thonë se greva do të ndërpritet kur SAShK të marrë propozim për rritjen e pagave, në të kundërtën do të vazhdojë edhe më tej.
FLUTURA LATIFI
