Maqedoni

Zjarr në fabrikën e vjetër "Treska", nuk ka viktima e as të lënduar. Arsovska: Dyshojmë se zjarri ishte i qëllimshëm

14.04.2022 17:50

Mesditën e sotme ka shpërthyer një zjarr në lagjen “Taftalixhe” në Shkup, përkatësisht në objektin e fabrikës së vjetër "Treska"...

Mesditën e sotme ka shpërthyer një zjarr në lagjen “Taftalixhe” në Shkup, përkatësisht në objektin e fabrikës së vjetër "Treska". Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur të lokalizojnë zjarrin dhe të pengojnë që i njëjti të përhapet edhe drejt objekteve përreth. Nuk ka viktima apo të lënduar. Dyshohet se zjarri ishte i qëllimshëm.
 
“Ka dyshime se ka persona që e kanë shkaktuar zjarrin, këtë informacion e morëm edhe nga fqinjët të cilët jetojnë këtu dhe kanë parë persona në lëvizje. Shpresoj se institucionet do të ndërmarrin masa që mos të lejohet që asnjë qytetar të rrezikohet.”,- tha kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
“Falë intervenimit të shpejtë nuk është lejuar që zjarri të përhapet, është ndalur aty ku e gjetëm. Për fat të mirë nuk ka të lënduar, as zjarrfikës e as qytetarë. Organet e hetimit do të vërtetojë shkaqet e zjarrit, puna jonë ishte të pengojmë përhapjen e zjarrit.”,- u shpreh një përfaqësues i ekipit të zjarrfikësve.
 
Në lokalizimin e zjarrit në ish fabrikën “Treska” në Shkup kanë intervenuar 55 zjarrfikës.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI