Obama: Sanksione të reja ndaj Koresë Veriore

03.01.2015 15:17

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka autorizuar sanksione të reja kundër Koresë Veriore, në përgjigje të sulmit kibernetik kundër kompanisë Sony Pictures, meqë Uashingtoni e ka akuzuar Phenianin se e ka kryer këtë sulm...

Në njoftimin e mbrëmshme të Shtëpisë së Bardhë thuhet se zoti Obama i ka urdhëruar sanksionet kundër entiteteve të Koresë Veriore, përfshirë kompaninë shtetërore të armatimit, agjencinë e inteligjencës dhe 10 zyrtarë qeveritarë.

Agjencia FBI e kishte akuzuar Korenë Veriore për sulmin në Internet kundër kompanisë Sony. Por Koreja Veriore i ka hedhur poshtë këto akuza. Aktualisht, sanksionet amerikane kundër Koresë Veriore janë aktive për shkak të programit atomik verikorean.