Maqedoni
Rasti “Perandoria”, gjykata vendosi konfiskimin e pronës
15.04.2022 21:38
Siç njoftoi sot Prokuroria Publike, kërkesat janë dorëzuar për shkak të ekzistimit të dyshimit...

Siç njoftoi sot Prokuroria Publike, kërkesat janë dorëzuar për shkak të ekzistimit të dyshimit se pasuria ka origjinë nga vepra penale dhe se deri në fund të procedurës penale do të vështirësohet dukshëm ose do të pamundësohet marrja e saj. Nga materialet e grumbulluara të provave, siç bëhet e ditur në kumtesë, del se pasuria e propozuar iu është transferuar personave të tretë që të fshihet pronari i saj i vërtetë.
Bëhet fjalë për pronën e biznesmenit Aleksandar Ivanovski në kompaninë “Divelop Grup“, në pronësi të së cilës është edhe hoteli Merriot në qendër të Shkupit.
“Gjykatësi i procedurës paraprake i pranoi kërkesat dhe me vendim caktoi masa të përkohshme të cilat ndalojnë posedimin, dhënien e kaparit dhe shpronësimin e pasurisë në çdo bazë ligjore. Masat e përkohshme sipas ligjit mund të zgjasin më së shumti deri në përfundimin e procedurës penale në gjykatën e shkallës së parë ose mund të shfuqizohen sipas detyrës zyrtare. Masat e përkohshme kanë hyrë në fuqi menjëherë dhe sekuestrimi i pasurisë është regjistruar në Regjistrin Qendror të RMV-së dhe në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive – Qendra për Kadastër të Patundshmërive Shkup. Konfiskimi nuk është përfundimtar”, bëhet e ditur në kumtesë.
Në rastin “Perandoria” në mesin e të dyshuarve për pastrim parash janë ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov dhe biznesmeni Orce Kamçev.
