Kosovë, sulm i ri ndaj policisë së Kosovës në Veri

16.04.2022 19:47

Policia e Kosovës tha se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm....

Policia e Kosovës tha se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme material.

Sipas policisë, dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur pranë një veture të policisë, ndërsa janë kryer me mjete piroteknike. Policia tha se dyshon se këto mjete shpërthyese janë hedhur “nga territori i Serbisë”.

Ky është sulmi i pestë i raportuar në katër ditët e fundit në veri të Kosovës, pranë pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet në Kosovë më 15 prill bën të ditur se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve të kryera gjatë ditëve të fundit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Policia e Kosovës ishte sulmuar edhe një ditë më parë, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

Policia e Kosovës në muajin shkurt kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë.