Alba befason dhe triumfon kundër Barcelonës

03.01.2015 15:37

Alba Berlini ka përgatitur surprizën më të madhe të xhiros së parë në fazën TOP 16 të Euroligës, duke mposhtur favoritin e pakontestueshëm, Barcelonën, me 80:70...

Gjermanët, me një paraqitje të shkëlqyeshme, arritën të pamundurën, njëherësh duke thelluar krizën në rradhët e katalonasve.

Amerikanët Redding dhe McLean si dhe Radosheviç, me nga 16 pikë të shënuara, ishin më meritorët për fitoren e Albas.

Favoriti tjetër spanjoll, Reali i Madridit, nuk dështoi në udhëtimin e vështirë në Beograd te Crvena Zvezda, duke fituar në fund me 79:72, fal paraqitjes së mirë të treshes Fernandez-Rodrigez-Lull.

Në grupin tjetër, ate F, u zhvillua derbi i mbrëmjes, mes Fenerbahçes dhe CSKA-s së Moskës, ku u desht të luhen pesë minuta shtesë, për të mësuar fituesin. Në fund, triumfuan mysafirët me 84:81, edhe ate fal lojës kolektive, me ç`rast gjashtë basketbollistë të tyre, regjistruan pikë dyshifrore.

Edhe në ndeshjet tjera të këtij grupi, fitoret u takuan mysafirëve. Olimpiakosi mposhti Unikahën me 69:61, Anadollu Efesi triumfoi kundër Laboral Kuças me 72:67, ndërsa Nizhni mposhti Empori Armanin në Milano, bindshëm me 79:59. (Mustafa Ademi, TVM2)