Komuna e Kërçovës vazhdon masën e kufizimit në ndriçimin publik

17.04.2022 15:06

Për disa muaj me radhë banorët e komunës së Kërçovës....

Për disa muaj me radhë banorët e komunës së Kërçovës ballafaqohen me masat kufizuese në ndriçimin publik edhe pse ata në faturat e tyre i paguajnë kompenzimet materiale për një shërbim të këtillë.

Kreu i Kërçovës, Fatmir Dehari, thotë se këto masa janë vendosur për shkak të krizës globale energjetike dhe një vendim i këtillë është mbështetur nga të gjithë përfaqësuesit e Bashkësive Vendore të komunës.

Sipas tij, këto masa japin rezultatet e para të kursimit të energjisë elektrike, në një periudhë të rënduar edhe nga luftimet në Ukrainë.

Dehari bën të ditur se kjo situatë do të tejkalohet me realizimin e projektit për ndriçim publik të mençur, një projekt shumë racional, i cili do të zvoglojë dukshëm harxhimet e ndriçimit të rrugëve dhe hapësirave publike.

Sipas dinamikës së zhvillimit, ky projekt që realizohet përmes partneritetit publiko-privat do të finalizohet në fund të muajit maj të këtij viti. (Shaban Dalipi, TVM2)