Ahmeti: Edhe ne jemi europjan, sa anëtaret e BE-së
Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën...

Kështu ka deklaruar Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një intervistë për "Epokën e re", ku poashtu thekson se ne jemi evropianë po aq sa janë evropiane vendet anëtare të BE-së”.
“BE-ja nuk është e plotë pa rajonin tonë, pa Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën. Kështu që, pres që në vitin 2015 të kemi lëvizje shumë më të mëdha nga miqtë tanë evropianë dhe një angazhim të sinqertë të SHBA-së për një Evropë më të mirë dhe më ndryshe se ajo e kaluara. Kjo Evropë bëhet më e mirë vetëm duke qenë pjesë e saj edhe vendet që e kanë vendin aty, sepse ne jemi evropianë po aq sa janë evropiane vendet anëtare të BE-së. Në këtë mënyrë u mbyllet rruga të gjitha lëvizjeve ekstremiste. Ne duhet që ekstremizmin ta luftojmë dhe kjo luftë e suksesshme mund të jetë vetëm duke komunikuar dhe duke hequr barrikadat dhe kufijtë që ndodhen në Evropë. Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe vendet e tjera të rajonit duhet t’i heqin kufijtë ashtu siç i kanë hequr Gjermania dhe Franca mes vete. Tani edhe neve na mbetet t’i kryejmë obligimet tona në përmbushjen e standardeve, të cilat na pasurojnë e nuk na varfërojnë as jetën e as ekonominë, por na sigurojnë perspektivë dhe zhvillim në të gjitha fushat e jetës”, thekson Ahmeti, për të vazhduar Maqedonia, pavarësisht angazhimit vendor dhe ndërkombëtar, ka ngecur në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe BE, ndërsa ka bërë thirrje që të gjithë të angazhohen në këtë drejtim pasi rruga e vetme e Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor janë integrimet euroatlantike.
“Shpresojmë që ky interesim të kthehet në skenë, të rivendoset çështja e Maqedonisë në agjendën e rëndësisë së veçantë sepse anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të thotë më shumë stabilitet dhe siguri jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin. Zgjidhja e çështjes së emrit dhe anëtarësimi në NATO është në dobi jo vetëm të vendit tonë, por në dobi të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këtij rajoni më shumë se asnjëherë tjetër i duhet fqinjësia e mirë, komunikimi mes vete dhe paqe e stabilitet i qëndrueshëm”, është shprehur Ahmeti.
Lideri i BDi-së në këtë intervistë njëherit ka theksuar se mediet e kanë keqkuptuar fjalimin e tij të fundvitit pasi siç thot Ahmeti qëllimi i këtij fjalimi ka qenë shtimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe nxjerrja e mësimit nga e kaluara në mënyrë që të mos përsëriten skenarët si ai në Ukrainë. Apeli nuk ka pasur të bëjë vetëm për Maqedoninë, por për gjithë Ballkanin Perëndimor thekson Ahmeti, i cili përkujton se rajoni i Ballkanit Perëndimor, jo më shumë se para 15 vitesh, ka përjetuar gjakderdhje, krime dhe luftëra, ku ende shenja të këtyre tragjedive gjenden në Kosovë, Bosnje, Kroaci dhe Maqedoni”.(Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
