Maqedoni

Organizata botërore e turizmit: RMV në vendin e pestë për rritjen e turistëve të huaj

18.04.2022 13:31

Pavarësisht krizës së pandemisë dhe rënies së turizmit në përgjithësi në vendin tonë...

Pavarësisht krizës së pandemisë dhe rënies së turizmit në përgjithësi në vendin tonë, organizata botërore e turizmit raporton se Maqedonia për vitin 2021 ka shënuar rritje të të ardhurave nga turistët e huaj, duke u renditur vendi i pestë në botë për rritje të përqindjes në turizmin ndërkombëtar. Nga Agjencioni për Promovimin dhe Mbështetjen e Turzimit thonë se shifra të tilla sjellin shpresë për rimëkëmbjen e turizmit në vendin tonë. 
 
“Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Turizmit, Maqedonia renditet e pesta në botë sipas rritjes së turistëve në vitin 2021, një rritje prej 139%. Shpresoj që ky trend të vazhdojë edhe në vitin 2022, duke dëshmuar kështu përpjekjet tona edhe si agjencion  për promovimin e turizmit por edhe një falenderim i madh për sektorin e turizmit që punuam bashkë kur të gjithë u ndalën.”, tha Ljupço Janeski, drejtori i Agjencionit për Promovim dhe Mbështetjen e Turizmit.
 
Edhe kriza e luftës në Ukrainë ka ndikuar në turizëm, megjithatë nga agjencioni për turizëm janë optimistë se rajoni në bregun e Liqenit të Ohrit do të ketë rritje të turistëve të huaj sezonin e ardhshëm.
 
“Shpresoj që në një vit kaq problematik dhe të ndjeshëm të kemi sërish rritje ndërmjet 20 dhe 30% kur bëhet fjalë për tregun e huaj. Fluturimet e para të turistëve nga Holanda tashmë janë paralajmëruar për gjysmën e dytë të majit. Ne kemi marrë konfirmimin se fluturimet e para do të jenë pikërisht atëherë. Do të kemi numër më të madh të tur operatorëve nga Turqia, të cilët tashmë kanë filluar në rajonin Strugë – Ohër.”, tha Janeski. 
 
Përveç tur operatorëve holandezë dhe të Turqisë, bregn e Liqenit të Ohrit pritet të vijnë turistë edhe nga Polonia, Izraeli si dhe vendet e rajonit.  
 
ILMIE ZHAKU