Ofensiva ruse për Donbasin, Kievi zyrtar: Është një ferr i vërtetë
Ka nisur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës ofensiva e ushtrisë ruse në lindje të Ukrainës...

Ka nisur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës ofensiva e ushtrisë ruse në lindje të Ukrainës, pikërisht në rajonin e Donbasit, rajon ky që ishte dhe një prej preteksteve të nisjes së të ashtuquajturit “operacion special” në Ukrainë.
Përballje mes dy ushtrive janë regjistruar në Rubizhne e Popasna, ndërsa autoritetet raportojnë shpërthime të fuqishme në Kharkiv dhe Mykolaiv.
Guvernatori ukrainas i rajonit të Luhanskut e konsideron situatën shumë të vështirë, duke e cilësuar atë një ferr të vërtetë.
Luftimet më të ashpra janë duke u zhvilluar në qytetin-port të Mariupolit dhe pikërisht në zonën e uzinës së çelikut “Avostal”, e cila sipas ekspertëve është e pajisur me një numër të madh bunkerësh që mund të pengojnë përparimin e rusëve. Ushtria e Putin e ka rrethuar zonën dhe iu bëri thirrje për herë të fundit ushtarëve që vijojnë rezistencën që të dorëzojnë armët.
Më herët, mediat ndërkombëtare raportuan se në uzinën e çelikut strehohet dhe një numër i madh civilësh, pjesa më e madhe e të cilëve, gra, fëmijë dhe të moshuar, por Rusia pretendon se kjo gjë është e pavërtetë.
Deri në këto momente, dhjetëra godina kanë qenë cak i sulmeve ajrore, për të cilat Moska zyrtare deklaron se ka shkatërruar më shumë se 60 struktura ushtarake kyçe të ushtrisë ukrainase. Burime të pakonfirmuara nga regjimenti nacionalist ukrainas, Azov bëjnë me dije se avionët rusë kanë hedhur në drejtim të uzinës dhe bomba që mundet të shkatërrojnë bunkerët.
Analistët shprehen se tashmë marrja e Mariupolit është kthyer në një obsesion për presidentin Putin, pas disfatës në Kiev. Sipas tyre, ky qytetet mund të jetë dhe vendi ku mund të përfundojë lufta më 9 maj, datë në të cilën Rusia përkujton fitoren ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.
