Maqedoni

Hapja e negociatave me BE-në, Kyçyk: Sofja, të rishikojë qëndrimin ndaj RMV-së

19.04.2022 11:39

Sofja duhet ta rishikojë pozitën ndaj Shkupit, vlerëson eurodeputeti bullgar...

Sofja duhet ta rishikojë pozitën ndaj Shkupit, vlerëson eurodeputeti bullgar dhe raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian, Ilhan Kyçyk. Sipas tij, eurointegrimi i Maqedonisë së Veriut dhe vendeve tjera ballkanike,  mund të kontribuojë që Bullgaria dhe tërë rajoni të ndjehen më të sigurtë, posaçërisht në situatë të konfliktit ushtarak në kontinentin europian.

“Interes strategjik i Bullgarisë është të kufizohet me vendet demokratike, të cilat mund të sigurojnë hapësirë të sigurisë, prosperitet dhe mundësi. Tjetrën nuk mund ta sqaroj. Çdoherë në mënyrë tendencioze u jepet hapësirë njerëzve cilët dëshirojnë që Maqedonia e Veriut të mos jetë pjesë e Bashkimit Europian. Politikat duhet të ndërtohen në periudhë pak më të gjatë. Dhe nëse shikojmë përmes këtij prizmi të marrdhënieve mes Sofjes dhe Shkupit, më duket se do të gjejmë argumente shumë më serioze që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet pjesë e Bashkimit Europian”, tha Kyçyk.

Është shumë rëndë, tha eurodeputeti bullgar, t’u sqarohet partnerëve europianë se cilat janë shkaqet për pengimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian, posaçërisht pasi nga Bullgaria doli idea për zgjerimin e saj drejt Ballkanit Perëndimor. Për raportuesin  Kyçyk, garancitë europiane janë zgjidhja e vetme për çështjet e hapura.