Maqedoni

Osmani për klubin bullgar: Njollë në marrëdhëniet, por bisedimet s’duhet ndalur

19.04.2022 14:00

Hapja e Klubit kulturor bullgar me emrin “Dimitar Mihajllov” ishte provokim...

Hapja e Klubit kulturor bullgar me emrin “Dimitar Mihajllov” ishte provokim, por nuk do të lejojmë që kjo të prishë procesin e negociatave ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, thotë shefi i diplomacisë, Bujar Osmani. Ai thotë se përveç provokatorëve, aty kishte edhe politikanë që kanë bërë përpjekje që mos të dëmtohet ajo që është arritur në 6 muajt e fundit. Sipas Osmanit, disa nga të pranishmit në Manastir kanë pasur për qëllim të provokojnë reagim dhe t'i tregojnë opinionit botëror se këtu nuk respektohen të drejtat e njeriut.
 
“Ne dolëm fitimtarë nga kjo që ndodhi… Nuk duhet të lejojmë që procesi i negociatave të ndalet. Nuk duhet të përsërisim gabimin e negociatave që bëmë me Greqinë dhe pas 10 vitesh do të detyrohemi të arrijmë një marrëveshje, në kushte shumë më të vështira se sot. Dhe nëse negociatat ndalojnë ose dështojnë, atëherë duhet të jetë nga Bullgaria, jo nga ne.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
 
Osmani tregon se regjistrimi i klubit është bërë për shkak të mosharmonizimit të ligjeve, pasi që në vitin 2019 Ministria e Drejtësisë refuzon të japë leje për regjistrimin e të njëjtës.  
 
“Ne i ruajtëm vlerat tona dhe principet lidhur me lirinë e organizimit, ne e ruajtëm dhe mbrojtëm imazhin tonë para botës dhe porosi të tilla kam marrë nga kolegë të shumtë. Ndërsa Qeveria bullgare ka ministrinë e vetë dhe ata le të sqarohen për imazhin e saj dhe le të sqarohen ndaj reagimit të Komunitetit Evropian.”,- theksoi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
 
Shefi i diplomacisë Osmani thotë se ata do të vazhdojnë në të punojnë në heqjen e pengesave për fillim të bisedimeve në qershor.  Megjithatë, sipas tij, nëse në qershor Bullgaria nuk lejon fillim të bisedimeve për të dy shtetet, por vetëm për Shqipërinë kjo do të çojë në një komplikim të ri të situatës dhe do të ketë  pasoja të mëdha për shtetin tonë. 

SANIJE DURAKU