Maqedoni
Heqja e mbishkrimit shqip në QIK, BDI: Opozita shqiptare pezullon gjuhën shqipe
19.04.2022 14:18
Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon opozitën, posaçërisht atë shqiptare...

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon opozitën, posaçërisht atë shqiptare, e cila është pjesë e pushtetit lokal në Qytetin e Shkupit, se po pezullon përdorimin e gjuhës shqipe nëpër institucione, në kundërshtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Shkas për akuzat është heqja e mbishkrimit dygjuhësor në Qendrën Informative Kulturore.
Sipas BDI-së, ASh dhe BESA janë të pafuqishme në koalicionin me VMRO DPMNE-në dhe “Të Majtën” dhe se ky është çmimi që paguajnë për pjesëmarrje në një koalicion si humbës.
“Si do të dukej një qeverisje e ”koalicionit Levica” e përbërë nga VMRO, ASH, Levica dhe Besa më së miri demonstrohet me largimin e paligjshëm të përdorimit të gjuhës shqipe nga QIK, institucion ky në kuadër të Qytetit të Shkupit. Dje e pamë se sa të lodhur e të pafuqishëm janë koalicioni VMRO, Levica, Aleanca dhe Besa. Aleanca dhe Besa i rrinë gatitu VMRO-së dhe Levicës.”,- tha deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.
ASh: Pse s’vepron Inspektorati i Gjuhëve
U kundërpërgjigj Aleanca për Shqiptarët. “Në gjysmën e Institucioneve shtetërore nuk po zbatohet gjuha shqipe edhe pse BDI është në pushtet.” - thonë nga ASH. Akuza për mosveprimin e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve.
“Sa për gjuhën shqipe kujtojmë se është pikërisht kjo qeveri që në gjysmën e institucioneve dhe ministrive nuk lejon përdorimin e gjuhës shqipe. E kur jemi te Levica, sado që të bërtisni, zhurma juaj qyqare nuk e mbulon tradhtinë që e bëtë bashkë me Levicën duke shtyrë regjistrimin vitin e kaluar dhe pasojat i shohim sot. Gjuha shqipe do të rikthehet në QIK sepse ne nuk jemi BDI të bëjmë skenare të përgjakshme si ajo në Kalanë e Shkupit kur natën ndërtonit kisha dhe ditën i sakrifikonit të rinjtë.”,- theksoi deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.
Besa: Ademi ka ngatërruar adresë
Ndaj deklaratave të koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi reagoi edhe Lëvizja Besa. Sipas tyre akuzat e Ademit janë të pa bazë, nxitëse dhe kanë për qëllim të defokusojë opinionin nga aferat korruptive dhe pa aftësinë e qeverisë ku BDI bën pjesë. – thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa. “Lëvizja BESA nuk është në koalicion me asnjë parti politike në Qytetin e Shkupit dhe nuk mban përgjegjësi për mos respektimin e gjuhës shqipe që sot po e vëren në shumë institucione që udhëhiqen nga BDI dhe LSDM.”
SHPËTIM NUREDINI
