Maqedoni

Vijon greva në arsim, Shaqiri: Do të debatohet në qeveri për pagat

19.04.2022 15:55

Numri një i dikasterit të arsimit, Jeton Shaqiri, konfirmoi se ka pasur takim me kreun e Sindikatës, Jakim Nedellkov...

Numri një i dikasterit të arsimit, Jeton Shaqiri, konfirmoi se ka pasur takim me kreun e Sindikatës, Jakim Nedellkov, dhe paralajmëroi se në seancën e Qeverisë do të diskutohet për grevën në arsim dhe konkluzat e seancës do t’i dërgohen SAShK-ut. Ai bëri thirrje edhe një herë që greva të ndërpritet dhe të pranohet oferta për 10 për qind rritje të pagave duke pasur parasysh gjendjen e krizës në të cilën ndodhet vendi. Ai më tej potencoi se negociatat vazhdojnë dhe se në interes të fëmijëve  është t’u kthehen bankave shkollore. 
 
“Sa i përket procesit arsimor, dua që sa më shpejtë të fillojë, që nga dita e nesërme. Për këtë temë negociatat do të mundet t’i vazhdojmë çdo ditë, por nuk dua pasoja mbi procesin arsimor. Nga SAShK-u thanë se 95 për qind prej anëtarësisë nuk pranojnë rritjen e pagave për 10 për qind vetëm 5 për qind pranojnë. Por, nëse i kthehemi viteve të kaluara, 10 përqindëshi është përqindja më e lartë e ofruar deri më tani.”,- deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
 
Edhe Avokati i Popullit përkrah negociatat, por të njëjtat nuk duhet të pengojnë të drejtën e fëmijëve për arsim. 
 
“Duhet që Qeveria të vazhdojë me SASHK-un dhe të gjendet zgjidhje, por kjo nuk nënkupton pasoja për procesin edukativo-arsimor respektivisht - pengim të së drejtës së fëmijëve për arsim.”,- u shpreh avokati i popullit, Naser Zyberi.
 
SAShK: Nëse ka propozim të ri nga MASh, do të shqyrtohet nga organizatat sindikaliste
 
Ndërkohë kreu i SASHK-ut, Nedellkov, tha se nëse ka propozim të ri në seancën e Qeverisë, i njëjti do të shqyrtohet nga organizatat sindikaliste dhe do të sillet vendimi a do të vijojë greva në çerdhe dhe shkolla. Greva në arsim ka hyrë në javën e dytë, ndërkohë që nga SAShK kërkojnë që pagat në arsim të rriten për 18%.
 
FLUTURA LATIFI