Maqedoni
Ademi: SAShK-u duhej të kishte pranuar ofertën e qeverisë
19.04.2022 16:14
Ish-ministri i arsimit dhe njëherit deputet aktual nga radhët e BDI-së, Arbër Ademi, tha se SAShK-u...

Ish-ministri i arsimit dhe njëherit deputet aktual nga radhët e BDI-së, Arbër Ademi, tha se SAShK-u duhej të kishte menduar dhe pranuar ofertën e ekzekutivit për rritjen e pagave të mësimdhënësve për 10%, pasi që, sipas tij, që një ofertë e tillë është dinjitoze dhe e pranueshme në kushte kur vendi ballafaqohet me pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike. Ai përmendi se gjatë viteve të kaluara është punuar shumë në rritjen e pagave për 21.3% në arsimin fillor dhe të mesëm, andaj edhe kjo ofertë nuk ishte aspak e vogël për të mos pranuar, thekson Ademi.
“Më bëri shumë përshtypje oferta e Qeverisë drejtuar SAShK-ut për një ngritje prej 10 për qind, por si një ish-ministër i arsimit unë mendoj se dialogu duhet të vazhdojë dhe duhet të udhëhiqemi nga interesi i fëmijëve, nxënësve, procesit edukativo-arsimor, një njërën anë e anën tjetër nga mundësitë reale për një ngritje të qëndrueshme dhe të përballueshme të pagave.”,- tha koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi.
Dauti: Ofertë dinjitoze për mësimdhënësit
Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, në ndërkohë pyet përfaqësuesit e ekzekutivit se ku janë 600 eurot e premtuara për mësimdhënësit. Kërkon qasje serioze dhe ofertë dinjitoze për mësimdhënësit.
“Mos tentoni t’i ikni përgjegjësisë, por tregoni pse i mashtruat arsimtarët me premtimin për 600 euro rrogë siç keni bërë me shumë mashtrime tjera. Por, të paktën këtë sqaroni ku janë 600 eurot për arsimtarët?”,- theksoi koordinatorja të grupit parlamentar të ASh-së, Ilire Dauti.
Mucunski: Pagat konform kërkesës së SAShK-ut për 18.4%
Edhe VMRO-DPMNE është për zgjidhje urgjente të këtij problemi duke rritur pagat e mësimdhënësve konform kërkesës së SASHK-ut për 18.4%.
“Edhe pse neni 50 i ligjit për shkolla fillore parasheh zëvendësime hipotetike të mësimdhënësve në periudhë kur organizohet grevë, kjo gjë është shumë e vështirë, pasi që parashtrohet pyetja a ekziston kuadër i mjaftueshëm për t’i zëvendësuar të gjithë mësimdhënësit që janë në grevë. Nuk bëhet fjalë për grup të vogël të mësimdhënësve që grevojnë, por për një numër të madh dhe për këtë arsye them se praktikisht është e pamundur në të gjitha komunat të bëhen zëvendësime.”,- tha Timço Mucunski nga VMRO–DPMNE.
SAShK-u është futur në javën e dytë të grevës së saj. Ata do të qëndrojnë në grevë derisa sa nuk marrin garanci se do të rriten pagat e tyre për 18.4%, ndërsa partitë politike në pushtet apelojë që të vazhdojnë procesi i negociatave derisa nuk arrihet marrëveshje përfundimtare për pagat.
REXHEP QAMILI
