Botë
Luftime të ashpra në Ukrainë, Maripuoli gati të bijë në duart e rusëve, Kreminasi ra
19.04.2022 17:25
Qyteti i Mariupolit që nga fillimi i luftës në Ukrainë është një nga shënjestrat kryesore të Rusisë...

Qyteti i Mariupolit që nga fillimi i luftës në Ukrainë është një nga shënjestrat kryesore të Rusisë. Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar për të marrë kontrollin e këtij qyteti. Ka viktima dhe të plagosur, por numri i saktë nuk dihet, sepse luftimet në terren vazhdojnë. Ushtria ukrainase bën përpjekje për rezistencë pavarësisht granatimeve të njëpasnjëshme.
Forcat separatiste të mbështetura nga Rusia po përpiqen të sulmojnë fabrikën e çelikut Azovstal, në qytetin e rrethuar të Mariupolit. Fabrika është vendi ku janë vendosur trupat e fundit ukrainase por edhe civilët.
“U drejtohem liderëve botërorë. Aktualisht janë qindra civilë të vendosur në fabrikën "Azovstal". Midis tyre ka shumë fëmijë të moshave të ndryshme, gra, të moshuar si dhe familjet e mbrojtësve të Mariupolit, të cilët detyrohen të fshihen nga "bota ruse" në bodrume dhe strehimore për bomba. Së bashku me ushtrinë ukrainase, të cilët vazhdojnë të mbajnë qytetin, ata kanë gjetur të vetmen strehë të mundshme këtu.”,- tha komandanti i regjimentit “Azov”, Denis Prokopenko.
Civilët që janë vendosur në podrumin e fabrikës “Azoval” kërkojnë ndihmë që të largohen nga qyteti.
“Ejani të na vizitoni, të shikoni vuajtjet tona. Kemi mungesë ushqimi e uji.”,- theksoi një qytetar.
“Jemi të ngujuar për javë të tëra këtu. Nuk di edhe sa do të vazhdojë kjo.”,- u shpreh një qytetar.
“Kam frikë se do të vdesim me gjithë fëmijët këtu. Mezi pres të largohemi.”,- potencoi një qytetar.
“Ne kërkojmë hapjen e një korridori humanitar nga Mariupol në Berdyansk për civilët. Më vete, ne kërkojmë një korridor urgjent humanitar nga territori i uzinës “Azovstal” për gratë, fëmijët dhe civilët e tjerë.”,- deklaroi zëvendëskryeministrja, Iryna Vereshchuk.
Ushtria ruse i është përgjigjur kërkesës së Vereshcuk dhe ka hapur një korridor humanitar në këtë fabrikë për të lejuar civilët të largohen nga uzina e çelikut “Azovstal”. Për këtë është shpallur një armëpushim i përkohshëm derisa të largohen civilët. Ministria ruse e Mbrojtjes u ka kërkuar forcave ukrainase që të dorëzojnë armët, duke ua garantuar jetën.
“U bëjmë thirrje edhe një herë autoriteteve zyrtare të tregojnë maturi, t'u japin udhëzimet e duhura militantëve për t'i dhënë fund rezistencës së pakuptimtë dhe largimin nga vatra e rezistencës.”,- u tha nga Ministria Ruse e Mbrojtjes.
Përderisa lufta për Mariupolin vazhdon, një tjetër qytet bije në duart e rusëve. Rusët e kanë marr nën kontroll Kreminnasin, njofton kryetari i këtij qyteti. Në një konferencë u tha se trupat ukrainase janë tërhequr për shkak të numrin të lartë të viktimave.
“Trupat ukrainase janë tërhequr nga qyteti Kreminnasi. Tani ky qytet është nën kontrollin e rusëve. Ata kanë hyrë në qytet. Ushtria jonë është dashur të tërhiqet. Është e pamundur të llogaritet numri i të vdekurve. Kemi shifra zyrtare, janë rreth 200 të vdekur, por në realitet janë shumë më shumë.”,- theksoi kryetari i Luhanskut, Serhiy Gaidai.
Qyteti i Kreminnaas para luftës kishte rreth 18.000 banorë tani shumica e tyre kanë ikur dhe një pjesë janë vrarë. Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar dhe në Donbas. Rusia e ka shënjestruar edhe Donbasin për ta marrë nën kontrollin e saj.
FARIJE DAUTI BAKIJU
