Maqedoni

Rruga “Strasho Pinxhur” në Tetovë përplasi këshilltarët, banorët dhe kreun e Tetovës

19.04.2022 18:37

Rruga “Strasho Pinxhur” ka përplasur këshilltarët komunal, banorët dhe kreun e komunës...

Rruga “Strasho Pinxhur”  ka përplasur këshilltarët komunal, banorët dhe kreun e komunës, pasi projekti i ri parasheh edhe prerjen e drunjve në këtë pjesë. Banorët dhe këshilltarët “Më mirë për Tetovën” kundërshtojnë prerjen e drunjve dhe kërkuan nga kreu i komunës, Bilall Kasami, që ta ndërpresë prerjen e drunjve.
 
“Ne të tregojë z. Memeti në bazë të cilit inspektor dhe cilit vendim? Kush atë vendim e aprovoi dhe të priten deri te shkolla e muzikës z. kryetar? Ne një kryetare e çuam në shtëpi për këto punë. Nuk e kemi ndërmend t’ju çojmë në shtëpi nëse punoni! Kërkojmë që mos të priten drunjtë në lagjen poshtë.”,- tha këshilltari “Më mirë për Tetovën”, Hamdi Sulejmani.
 
“Kjo që është bërë sot është një krim dhe ne jemi shumë të revoltuar, dëmi është i madh, nuk mund të kthehet, por nëse ka një drunj tjetër që mund t’i shpëtojë, duhet të shpëtohen. Kërkojmë që edhe në lagjet tjera kurrë të intervenohet duhet me një procedurë të mirëfilltë, pasi shumë drunj të vjetër në Tetovë janë duke u prerë. Këtu kemi intervenime dhe drunj të rinj, pamë më lart edhe fidanë të rinj, nuk e di si i keni masakruar në këtë mënyrë.”,- theksoi një banor.
 
Kreu i komunës së Tetovës tha se drunjtë e  prerë do të zëvendësohen me drunj të rinj të cilët do të jenë më estetikë dhe ekologjikë dhe ndaloi prerjen e drunjve më tej në këtë rrugë.
 
“Gjashtë muaj qytetarët kërkojnë që kjo rrugë të rikonstruohet, ne të gjitha procedurat që i bëmë për ta rregulluar këtë rrugë me infrastrukturë nëntokësore, me pamje që duhet ta ketë ne do ta bëjmë. Zëvendësimi i drunjve do të bëhet adekuatë të cilat do të jenë për 50 vitet e ardhshme e jo drunj të cilët kanë kaluar që 50 vite që janë këtu, edhe ashtu në bazë të vjetërsisë ato drunj duhet të ndërrohen.”,- u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Billall Kasami.
 
Ndërkohë, në Tetovë presin edhe shumë rrugë për t’u rregulluar, por ajo që është imediate është hapja e Bulevardit “Bllagoj Toska” që ka vite që zvarritet dhe nuk merr epilog.
 
VISAR SADIKI