Interi zyrtarizon Lukas Podolskin
Sulmuesi kampion i botës pritet si hero nga tifozët...

Ka nisur në mënyrën më të mirë aventura e Lukas Podolskit te Interi.
Sulmuesi kampion bote me Gjermaninë zbriti mbrëmjen e së premtes në aeroportin e Milanos ku është pritur nga qindra tifozë entuziastë.
Futbollisti është përforcimi I parë për trajnerin Roberto Mançini në merkaton e dimrit, ndërsa për tifozët zikaltër shihet si njëriu që do të zgjidhë problemet në sulmin e skuadrës.
Podolski transferohet nga Arsenali në formë huazimi, duke pranuar ofertën e klubit italian.
Ky I fundit do të paguajë 600 mijë euro për gjashtë muaj, ndërsa kjo shumë mund të shkojë në 1 milion euro, nëse skuadra do të arrijë objektivin për të siguruar një biletë për në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.
Podolski do të nisë menjëherë përgatitjet me skuadrën e re pasi shpreson të luajë në ndeshjen e parë të kampionatit italian për vitin 2015, ku Interi përballet të martën në mbrëmje në tranfertën e vështirë kundër Juventusit.
Nëse tifozët zikalkër presin shumë nga Lukas Podolski, vetë sulmuesi do të ketë më shumë hapësira në formacion, ndryshe nga periudha e fundit me Arsenalin ku kishte shumë pak hapësira.
Pikërisht, kjo ishte dhe arsyeja kryesore që bindi Lukas Podolskin të provojë një tjetër kampionat pas atij gjerman dhe anglez.
