Maqedoni

Vetëm kontribute për grevistët, Trençevska: S’është kërcënim, por respektim i ligjit

20.04.2022 13:50

Punonjësve të kopshteve të cilët janë në grevë, do t’u paguhen vetëm kontributet në bazë minimale....

Punonjësve të kopshteve të cilët janë në grevë, do t’u paguhen vetëm kontributet në bazë minimale. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, thotë se ky vendim është respektim i Ligjit e jo kërcënim ndaj grevistëve. 
 
“Nuk bëhet fjalë për presion apo shantazh, por për respektim të ligjeve dhe të Marrëveshjes Kolektive. Marrëveshja Kolektive për çerdhet, që janë nën juridiksionin e MPPS-së, përcakton qartë se çfarë duhet bërë në rast të grevës dhe çfarë është i obliguar punëdhënësi. E njëjta është e definuar edhe në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës ku thuhet se në kushtet e grevës punëdhënësi është i obliguar që të paguajë kontribute për të gjithë grevistët, në bazën më të ulët për pagesën e kontributeve. Neni i radhës 241 i jep mundësi SASHK-ut që të sigurojë pagesën e pagës neto për të gjithë ata punëtorë që janë në grevë.”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençevska.
 
Ministrja thotë se nëse nënshkruan pagesën e pagave për grevistët, mund të përballet me akuza penale.
 
“Unë si ministre duhet të respektoj Ligjin dhe Kontratën Kolektive. Gjithçka jashtë Ligjit për Marrëdhënie Pune do të ishte  shpërdorim i pozitës zyrtare dhe duke qenë se ka të bëjë me implikime fiskale, do të thotë përgjegjësi penale.”,- u shpreh Trençevska.
 
Sipas ministres, në 29 çerdhe punëtorët nuk janë në grevë. Në çerdhet e tjera të gjithë fëmijët pranohen, megjithëse thotë se edhe atje ka pjesë të objekteve që janë të mbyllura.
 
REJHANE BUSHI METAJ