Maqedoni
E diela ditë jopune, kushtetuesja e heq nga rendi për arsye teknike
20.04.2022 14:10
U shty për në një seancë tjetër diskutimi në Gjykatën Kushtetuese mbi iniciativën e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut

U shty për në një seancë tjetër diskutimi në Gjykatën Kushtetuese mbi iniciativën e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, me të cilin kontestohet Ligji për të dielën ditë jopune. Iniciativa nuk u diskutua për arsye teknike, mirëpo gjykatësja raportuese, Vangelina Markudova, nuk dha justifikim të zgjeruar për pjesën teknike e cila duhet të përpunohet. Megjithatë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, apeloi tek këshilli të bëjë korrigjime në afatin sa më të shkurtër të mundshëm, duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për lëndë aktuale për të cilën opinioni është i interesuar.
Përmes kësaj iniciative, Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut i konteston ndryshimet e fundit të Ligjit për marrëdhëniet e punës, lidhur me të dielën ditë jopune në shtet, duke e cilësuar si vendim në kundërshtim me lirinë dhe tregun e sipërmarrjes, vlerat themelore dhe barazinë e qytetarëve. Në iniciativë thuhet se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës rregullon përdorimin e pushimit javor, duke vendosur ndalimin e punës të dielave dhe në të njëjtën kohë numëron përjashtimet nga disa aktivitete në të cilat pushimi javor mund të përdoret në një ditë tjetër. Kjo zgjidhje ligjore, sipas OEMV-së, nuk është në favor as të subjekteve ekonomike, as të punëtorëve dhe prek drejtpërdrejt vlerat themelore të rendit kushtetues të shtetit.
BELINDA KOKA ADEMI
