Maqedoni
Mungesë vaji në markete, prodhuesit: Ka mjaftueshëm, por do të shtrenjtohet
20.04.2022 14:54
Autoritetet sigurojnë qytetarët se vaj për gatim ka në sasi të mjaftueshme...

Por, qytetarët më vajin nuk do të mund ta blejnë me çmimet e mëparshme. Çmimi i vajit do të arrijë deri në 150 denarë dhe i njëjti do të jetë në këtë nivel. Prodhuesit e vajit apelojnë qytetarët që të mos grumbullojnë rezerva, pasi vaj do të ketë mjaftueshëm edhe pas festave.
“2000 euro për ton është vaji i papërpunuar. Mendoj se vaji i gatimit do të shkojë nga 2 euro deri në 2.5 euro dhe do të qëndrojë në atë çmim. Nuk do të ketë ndryshime drastike, përveç që pas festës çmimi do të stabilizohet në atë nivel.”,- theksoi drejtori i Kompanisë “Kristal” – Veles, Goran Llazov.
Bekteshi: Po importojmë nga fqinjët, do të shtojmë prodhimin
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se ka filluar importi i vajit të rafinuar nga fqinjët, por importohet edhe nga vendet tjera, duke qenë se e kemi hequr normën doganore prej 29 për qind dhe po punohet në masa shtesë për prodhim më të madh të lulediellit.
“Me vendimet e fundit të Qeverisë, të cilat janë marrë në koordinim mes dy ministrive, vaji i rafinuar i gatimit tashmë po importohet nga fqinjët tanë. Në atë pjesë, masat e Qeverisë, siç shihet në terren, japin rezultatet e duhura, në sasi, i kemi të gjitha sasitë në tregun e brendshëm që nevojiten për konsumin tonë, dhe përveç kësaj po punohet për masa për të rritur edhe prodhimin e lulediellit.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ndërkohë që ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski, tha se sivjet do të rriten sasitë e fushave të mbjella me luledielli dhe me atë do të shtohen edhe sasitë me lëndë të parë të vajit për gatim.
ERSAN PARAZITI
