Botë

Vazhdon ofensiva ruse në Ukrainë, Zelensky: Me armë më të mira, lufta do të mbaronte

20.04.2022 17:13

Qyteti i Izyum-it, i njohur si porta e Donbasit në Detit të Zi – po përjeton luftime të ashpra...

Qyteti i Izyum-it, i njohur si porta e Donbasit në Detit të Zi – po përjeton luftime të ashpra, pasi rusët e përdorin atë si një stacion për të sulmuar qytetet në lindje. Qyteti strategjik, 70 milje në jug-lindje të Kharkiv ra plotësisht në duart e rusëve më 1 prill. Në Kharkiv dhe në rajonin e Dnipro-petrovskut është rritur aktiviteti ushtarak rusë – që po ka për cak infrastrukturën civile. 
 
“Duke shfrytëzuar territorin rrjetin e aeroporteve dhe hapësirën ajrore të Bjellorusisë, po sulmohen shumë zona në lindje të vendit tonë.”,- u shpreh zëdhënësi i shtabit gjeneral ushtarak në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Zelenski pretendon se do ta fitonte këtë luftë, nëse do të kishin armatim.
 
“Nëse do të kishim qasje në armë më të mira, krahasuar me ato ruse – tashmë do të merrte fund kjo luftë. Vendet demokratike kanë armët dhe municionet për të cilat Ukraina ka nevojë, është detyrë e tyre morale të ndihmojnë që të mbrojnë lirinë, të shpëtojnë jetët e mijëra ukrainasve.”,- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Lufta për Mariupolin, ukrainasit në Azovstal me mesazh për botën
 
Në Mariupolin e shkatërruar tërësisht i cili është gati të bije në duart e rusëve, ushtarët ukrainas përpiqen të mbrojnë qytetin. Ata janë të ngujuar në një kompleks të madh fabrikash çeliku për momentin. 
 
“Ky mund të jetë mesazhi ynë i fundit. Mund të kemi vetëm disa ditë apo edhe orë të mbetura. Forcat armike janë 10 herë më të mëdha se tonat. Ata kanë kontroll mbi ajrin, artilerinë, në tokë, mbi tanket. Ne po mbrojmë një objekt, impiantin ku ndodhet garnizoni ushtarak i Mariupolit dhe civilët e kapur nga lufta. Ne po i drejtohemi liderëve botërorë për të na ndihmuar. Garnizoni ushtarak i Mariupolit ka më shumë se 500 ushtarë të plagosur dhe qindra civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Ne po kërkojmë të na ofrojnë siguri në territorin e vendit të tretë.”,- majori Serhiy Volyna.
 
Ministria ruse e mbrojtjes u dha forcave ukrainase, të ngujuara në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, një ultimatum të ri, që të lënë armët e tyre, por edhe afati i ri kaloi e qëndresa vazhdon. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU