Putin anulon planet për të sulmuar fabrikën e çelikut në Mariupol
Ushtria ruse ka marrë kontrollin e qytetit port në juglindje të Ukrainës, Mariupol, tha ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu....

Ushtria ruse ka marrë kontrollin e qytetit port në juglindje të Ukrainës, Mariupol, tha ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Ai e bëri njoftimin të enjten në një takim me presidentin rus, Vladimir Putin të transmetuar në televizionin shtetëror. Presidenti Putin urdhëroi që fabrika e çelikut të mos sulmohej. Sipas llogarisë së Shoigu, njësitë ukrainase janë plotësisht të bllokuara. Ministri siguroi se edhe fabrika duhet të merret për tre deri në katër ditë. Askush nuk është larguar nga fabrika përmes korridoreve humanitare të ofruara, tha ministri. Më herët, pala ukrainase kishte propozuar negociata për fatin e luftëtarëve dhe shpëtimin e civilëve që kishin kërkuar strehim në fabrikë.
Qyteti port juglindor i Mariupolit ka përjetuar luftimet më të ashpra që nga 24 shkurti, ndërsa forcat ruse përpiqen të marrin kontrollin e plotë. Kapja e tij do të ishte një çmim i madh strategjik dhe do të lidhte territorin e mbajtur nga separatistët pro-rusë në lindje me rajonin e Krimesë që Moska aneksoi më 2014.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy ka thënë se rreth 1000 civilë janë strehuar në fabrikën e çelikut. Kievi ka propozuar shkëmbimin e të burgosurve rusë të luftës për kalim të sigurt për civilët dhe ushtarët e bllokuar. Nuk dihej nëse Rusia i ishte përgjigjur ofertës për negociata speciale. Luftëtarët mbeten të ngujuar në uzinë dhe kanë injoruar një ultimatum nga Rusia për t’u dorëzuar.
Perëndimi ka vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë dhe i ka dhënë Ukrainës mbështetje të gjerë, duke përfshirë armë.
