Maqedoni

Gjukanoviq për TVM2: E ardhmja e rajonit është pakthim – europiane!

21.04.2022 12:29

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i vlerëson jashtëzakonisht të mira marrëdhëniet mes dy vendeve tona...

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i vlerëson jashtëzakonisht të mira marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Në një intervistë ekskluzive për TVM2, Gjukanoviq shpreh keqardhje për vonesën në çeljen e  negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
 
“Kjo është e padrejtë. Nuk është mirë për BE-në që të lejojë që problemet dypalëshe, madje në këtë rast edhe problemet historike dypalëshe, të bëjnë të pamundur në të vërtetë arritjen e perspektivës evropiane e cila duhet t’ju përkasë të gjithë popujve evropianë, pra përfshirë edhe popullin e Maqedonisë së Veriut. Është urgjente që të ndihmohet pushteti i ri në Bullgari që të zhbllokojë këtë proces dhe të krijojmë kushte që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të shkojnë rrugës së Europës dhe ky do të ishte një impuls tjetër tejet i rëndësishëm që nuk do t’i lë hapësirë kujtdo në rajon për luhatje. Do të jetë e qartë pas afrimit efektiv të çdo shteti të rajonit tonë drejt BE-së se e ardhmja jonë është e pakthim – europiane!”,- deklaroi presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
 
Sa i përket qeverisë së re në Mal të Zi, për të cilën një ditë më parë mandatari, Dritan Abazoviq, njoftoi se ka mbështetje të 46 deputetëve, përfshirë edhe të deputetëve të PDS-së, Gjukanoviq pret që qeveria e re të rikthejë vlerat europiane e jo si ish qeveria që, sipas tij, u përqendrua në qërimin e hesapeve me kundërshtarët politikë, përfshi edhe atë vetë.
 
“Ajo qeveri ra. Formohet e reja. Besoj shumë më reale nga kjo e mëparshmja. Krahas kësaj, përvoja e deritashme më jep të drejtën të jem optimist se kjo qeveri do të jetë shumë më tepër e kthyer nga sistemi europian i vlerave sesa e kaluara e cila ishte klerikale dhe anti-europiane.”,- u shpreh Gjukanoviq.
 
Intervista ekskluzive me presidentin malazez u realizua në kuadër të emisionit “Ballkan View - Vështrim i përbashkët drejt Europës”, një bashkëpunim mes TVM2 dhe BIRC, që së shpejti do të emetohet në programin tonë. (Gazetar: Seladin Xhezairi)