Maqedoni
Levits viziton Shkupin, diskutohet siguria në Evropë dhe zgjerimi
21.04.2022 14:46
Presidenti, Stevo Pendarovski, priti presidentin e Letonisë, Egils Levits...

Presidenti, Stevo Pendarovski, priti presidentin e Letonisë, Egils Levits. Siguria në Evropë dhe procesi i zgjerimit kanë qenë temat kryesore që janë diskutuar mes krerëve të dy vendeve respektive. Përshpejtimi i procesit të integrimit të vendeve kandidate në BE është më se i domosdoshëm, pas agresionit rus në Ukrainë, konsideron Levits.
“Bashkimi Evropian është union i shteteve demokratike që gjykojnë njësoj dhe kjo ka reperkusione edhe mbi situatën e sigurisë në Evropë. Dhe për shkak të arsyeve gjeopolitike ne japim përkrahje të fortë për zgjerimin dhe konsiderojmë se çdo vend kandidat duhet të vlerësohet sipas përparimit individual. Ne shohim që Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kriteret dhe ne duhet të ecim përpara.”,- tha presidenti i Letonisë, Egils Levits.
Presidenti Pendarovski, mirënjohës për përkrahjen e Letonisë në këtë proces.
“Ju faleminderit që Republika e Letonisë, moti, e ka njohur gatishmërinë, përkushtimin dhe sakrifikimin tonë për realizimin e qëllimit strategjik për anëtarësim në Union. Ju dhe kryesia politike letoneze absolutisht kuptoni se paqja dhe siguria në Evropë janë në korrelacion të drejtpërdrejtë, mes tjerash edhe me vendimin e Unionit për zgjerimin e saj.”,- tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Pendarovski dhe Levitz edhe një herë dënuan agresionin rus në Ukrainë. Sipas tyre, ky agresioni ka ndryshuar në tërësi situatën e sigurisë në Evropë. Konsiderojnë se Rusia për një kohë më të gjatë mund të jetë fuqi agresive dhe rrezik për sigurinë, prandaj kjo duhet marrë si bazament për arkitekturën e sigurisë në Evropë. Sipas presidentit Levitz, nevojitet përforcimi i NATO-s.
Pas vizitës në Maqedoninë e Veriut, presidenti i Letonisë, Egils Levits, do të qëndrojë edhe në Kosovë.
SHPËTIM NUREDINI
