Maqedoni
Vijon greva në arsim, Kovaçevski: Mund të gjendet zgjidhje e përbashkët
21.04.2022 15:22
Pasi që SAShK-u edhe një herë refuzoi ofertën për rritje të pagave prej 10 për qind...

Pasi që SAShK-u edhe një herë refuzoi ofertën për rritje të pagave prej 10 për qind, kryeministri Dimitar Kovaçevski është optimist, thotë se me sindikatën do të gjendet zgjidhje për paga më të larta. Sipas tij, Qeveria mbetet e hapur për negociata, por jo me kërcënime për grevë, por përmes dialogut socio-ekonomik. I ftoi arsimtarët të kthehen në shkollë dhe shpreson se së bashku me sindikatat do të kërkojnë metodologji përmes së cilës pagat në sektorin publik do të rriten në kontinuitet. Kovaçevski shtoi se SAShK-u e ka hutuar anëtarësinë.
“SAShK-u pa hapur dialogun në kuadër të gjashtë muajve e filloi grevën. Sipas meje, i hutoi arsimtarët sepse dje e shihja preskonferencën e SaShK-ut në të cilën kryetari i SAShK-ut i sqaron nenet e marrëveshjes kolektive dhe ligjet për pagesën e rrogave gjatë grevës, por nuk ishte i sinqertë deri në fund, nuk i tha nenet e sakta dhe nuk i tha të gjitha nenet deri në fund sa i zgjidhjeve ligjore dhe këtë duhet ta bëjë.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ministrja Trençevska tha se i vjen keq që SAShK nuk ka pranuar vendimin e Qeverisë dhe paralajmëroi se fillon dialogu me sindikatat reprezentative për ndryshimin e marrëveshjes kolektive.
“Do t’i fillojmë negociatat për marrëveshje të re kolektive, por ndërkohë do të sillet edhe marrëveshja kolektive e përgjithshme për sektorin publik në bazë të cilit do të harmonizohet edhe marrëveshja për kopshtet.”,- theksoi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençevska.
Sipas VMRO-DPMNE-së, në vend se të pranohen kërkesa e SAShK-ut, Qeveria po ushtron presione mbi sindikatën. Grevistët, sipas tyre, po frikohen se pagat nuk do t’iu paguhen plotësisht.
“LSDM kontribuoi të ketë shtrenjtime enorme të shpenzimeve për jetesë dhe nuk kontribuon që pagat të rriten për kuadrin arsimor, që do thotë se ata mund ta marrin vetëm gjënë elementare që iu takon.”,- u shpreh Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM me qëndrim se greva duhet të ndërpritet dhe mësimi të vijon sepse ka propozim konkret për pagat.
“Refuzimi i propozimit për rritjen e pagave nga udhëheqësia e SAShK-ut ngjason në veprimtari politike dhе shantazhim në dëm të fëmijëve.”,- tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Greva në çerdhe dhe shkolla vazhdon pasi që SAShK e hodhi poshtë propozimin e Qeverisë për rritjen e pagave prej 10 për qind. Nga SAShK paralajmëruan se greva do të ndërpritet nëse nënshkruhet marrëveshje me Qeverinë se deri në shtator, apo gjashtë muaj pas miratimit të pagës minimale, nëse ajo harmonizohet me marrëveshjen kolektive në arsim.
FLUTURA LATIFI
