Maqedoni
Aktgjykimi "Parcelat në Vodno", 7 vjet burg për Gruevskin
21.04.2022 15:37
Gjykata Penale ka shpallur fajtorë 5 të akuzuarit për rastin "Parcelat në Vodno"....

Gjykata Penale ka shpallur fajtorë 5 të akuzuarit për rastin "Parcelat në Vodno". Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, që është i arratisur në Hungari, dënohet me 7 vite burg, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, dënohet me 1 vjet e 3 muaj burg, Orce Kamçev me 1 vit burg, ndërsa të akuzuarit, Risto Novaçevski dhe Nenad Josifoviq, u dënuan me kusht. Gjatë shqiptimit të dënimit, gjykatësi tha se ish kryeministri ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë para nga arka e donacioneve të partisë VMRO-DPMNE.
“Të akuzuarit, Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Risto Novaçevski, Nendat Josifoviq, Jordan Kamçev janë fajtorë pasi që në periudhën prej muajit qershor 2006 deri në muajin tetor të vitit 2012, i akuzuari Nikolla Gruevski, duke shfrytëzuar raportin e tij në mënyrë të paligjshme për vete ka përvetësuar mjetet të cilat i janë besuar lidhur me punën e tij.”,- tha gjykatësi, Ilija Trpkov.
Sipas akuzës, në rastin "Parcelat në Vodno", Gruevski me para të donacioneve ka përfituar 1.3 milion euro, pastaj i ka lëshuar në qarkullim dhe ka blerë pronë të patundshme, ndërkohë që në kryerjen e veprës i kanë ndihmuar të akuzuarit e tjerë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
