Maqedoni
Aktgjykimi për rastin "Parcelat në Vodno", 7 vjet burg për Nikolla Gruevskin
21.04.2022 16:32
Gjykata Penale ka shpallur fajtorë 5 të akuzuarit për rastin "Parcelat në Vodno"....

Gjykata Penale ka shpallur fajtorë 5 të akuzuarit për rastin "Parcelat në Vodno". Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, i cili ndodhet i arratisur në Hungari, dënohet me 7 vite burg, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, dënohet me 1 vjet e 3 muaj burg, Orce Kamçev me 1 vit burg, ndërsa të akuzuarit, Risto Novaçevski dhe Nenad Josifoviq, u dënuan me kusht. Prona e fituar në mënyrë joligjore do të konfiskohet.
“I akuzuari, Nikolla Gruevski, përveç të ardhurave mujore të pagës, së bashku me bashkëshorten e tij, nuk kanë pasur të ardhura të tjera plotësuese. Prej këtu mund të përfundohet se prona e konfiskuar rrjedh nga mjete nga vepra e kryer penale. Mbrojtja nuk ofroi shpjegim të mjaftueshëm për këto rrethana që të mund t’i kundërshtojë konstatimet e prokurorisë.”,- tha gjykatësi, Ilija Trpkov.
Prokurorja, Lile Stefanova, thotë se me pjesën më të madhe të aktvendimit është e kënaqur, por për Gruvskin dhe Mijallkovin thotë se dënimi është i ulët, prandaj paralajmëron ankesë.
“Sa i përket të akuzuarit, Nikolla Gruevski, u tregua se përderisa ka qenë kryeministër ka vepruar në mënyrë korruptive, ka përfituar pronë prejardhjen e së cilës e ka fshehur dhe nuk e ka paraqitur në listën anketuese.U dëshmua se në vitin 2012, përmes firmave, kompanive ofshor, me skema të komplikuara ka blerë pronë për vete në Maqedoni, me para të fituara në mënyrë joligjore.”,- deklaroi prokurorja publike, Lile Stefanova.
“Ajo që ne nuk na pëlqeu në shqiptimin e dënimit është se dënimi është më i ashpër se sa i atyre që kanë bërë larje parash, gjoja "ndihmësi për larje parash", është dënuar më rreptë se sa ai që e ka kryer veprën penale.”,- theksoi avokati, Zvonko Dvidoviq.
Sipas akuzës thuhet se ish kryeministri Gruevski me para të donacioneve të VMRO-DPMNE-së në shumë prej 1.3 milion euro ka blerë parcela në Vodno, banesa në Shkup dhe tokë në Krushevë. Të akuzuarit e tjerë ngarkohen se i kanë ndihmuar në kryerjen e veprës.
FLORIJE BELULI KAMBERI
