Maqedoni

MSh dhe UNICEF, fushatë për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit

21.04.2022 17:40

Po rritet numri i fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit, por ende duhet punë që të arrihet qëllimi prej 95 për qind e të imunizuarve...

Po rritet numri i fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit, por ende duhet punë që të arrihet qëllimi prej 95 për qind e të imunizuarve, thotë ministri i shëndetësisë, Bekim Sali. Ai potencon se për 10 për qind është rritur numri i vaksinuarve në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020.  Fëmijët e pavaksinuar kanë rrezik për veten por edhe për shoqërinë, tha ministri Sali duke paralajmëruar fushatë kundër fruthit në bashkëpunim me UNICEF. 
 
“Periudhën e kaluar për shkak të pandemisë me Covid-19, sistemi shëndetësor është përballur me sfida të shumta dhe siç e dini në pjesën e punkteve të vaksinimit është kryer vaksinim kundër Covid-19, megjithatë paralelisht me të është kryer edhe vaksinimi i rregullt në përputhje me kalendarin e imunizimit, duke e pasur parasysh se mbrojta në kohë është vendimtare veçanërisht për foshnjat e porsalindura dhe fëmijët e moshës parashkollore.”,- tha ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
 
Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricija Di Xhovani, tha se dezinformatat janë armiku më i madh dhe apeloi te prindërit të besojnë në dëshmitë shkencore.
 
“Shkalla e ulët e organizimit rutinë paraqet shqetësim se shfaqja e epidemisë së fruthit është e mundur dhe nuk guxojmë të presim që të ndodhë e pastaj të reagojmë, por duhet të bëjmë gjithçka që të njëjtën ta ndalim.”,- tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricija Di Xhovani.
 
Fushata ka për qëllim që t’i përfshijë të gjithë prindërit që do të marrin informata të fitojnë besim dhe do të marrin hapat e duhur për të imunizuar fëmijët  e tyre, thonë nga UNICEF. Të dhënat tregojnë se më pak fëmijë të vaksinuar ka në Kumanovë, ku vitin e kaluar janë të regjistruar vetëm 41.3 për qind, nga 91 për qind deri në 100 për qind janë imunizuar në Vinicë, Kërçovë, Makedonski Brod, Kriva Pallankë, Koçan, Dibër, Prilep dhe Pehçevë. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI