Maqedoni
Besimtarët ortodoksë kremtojnë të “Premten e Madhe”
22.04.2022 10:13
Besimtarët ortodoksë kanë filluar kremtimet e pashkës ortodokse....

Besimtarët ortodoksë kanë filluar kremtimet e pashkës ortodokse. Ata sot festojnë ditën “E Premtja e Madhe”, që është dita më serioze dhe më e shenjtë e kalendarit të Krishterë Ortodoks të festave fetare.
Të Premten e Madhe vuajtjet e Krishtit arritën pikën kulmore dhe u bë kryqëzimi i tij. Prej orëve të para të mëngjesit të së Premtes besimtarët në kisha përgatisin Epitafin. Besimtarë të shumtë natën e kalojnë në kishë pranë epitafit të Krishtit. Deri në orën 11:00 të paradites kryhet mesha e shenjtë e Orëve të Mëdha, ku gratë e qajnë Krishtin dhe njëkohësisht besimtarët bëjnë pelegrinazh para Krishtit të kryqëzuar. Më pas kleri vendos Krishtin e kryqëzuar në kasën e zbukuruar me lule dhe simbole të krishterimit.
Në të gjitha kishat ortodokse në botë, epitafi dhe pelegrinazhi i besimtarëve kalojnë në formë unazore në rrugët e qyteteve dhe fshatrave rreth kishës - tempullit ku mbahet edhe mesha. Është një nga ritualet më të njohura dhe më tradicionalë të Kishës Ortodokse, ku shumë besimtarë dhe vizitorë bëhen pjesë e Epitafit të Krishtit.
