Botë

Zelensky: Rusia refuzon armëpushimin për Pashkë

22.04.2022 10:51

Në mesazhin e fundit drejtuar popullit ukrainas, presidenti Zelensky deklaroi se Rusia ka refuzuar vendosjen e një armëpushimi me rastin e Pashkës ortodokse....

Në mesazhin e fundit drejtuar popullit ukrainas, presidenti Zelensky deklaroi se Rusia ka refuzuar vendosjen e një armëpushimi me rastin e Pashkës ortodokse.

“Kjo tregon sesa liderët rusë e kanë në konsideratë besimin e krishterë dhe një prej festave më të rëndësishme dhe të gëzueshme. Megjithatë, jemi me shpresë se jeta do të fitojë ndaj vdekjes”, tha Zelensky.
 
Më tej, presidenti Zelensky paralajmëroi Rusinë se çdo tentativë e saj për aneksim, do të sjellë sanksione të ashpra që do ta varfërojnë njësoj si në vitin 2017.
 
“Dua të theksoj se nuk do të ketë asnjë republikë popullore të Kherson. Nëse dikush kërkon një aneksim të ri, mund të sjellë vetëm sanksione më të ashpra për Rusinë aq sa ta kthenin në varfërinë e pas luftës civile të 1917. Kështu që është më mirë të kërkojmë paqen”, thotë Zelensky.
 
Ndërkohë duke folur në lidhje me video me drejtuesit e FMN-së dhe Bankës Botërore, presidenti ukrainas tha se vendit të tij i duhen 7 miliardë dollarë në muaj për t’u përballur me humbjet shkatërruese ekonomike të shkaktuara nga Rusia. 
 
“Ushtria ruse synon të shkatërrojë gjithçka që mund të shërbejë si bazë ekonomike për jetën e ukrainasve. Këtu përfshihen stacionet hekurudhore, supermarketet, nafta, rafineritë”, shtoi presidenti ukrainas.
 
Ai tha se çdo vend duhet të jetë i përgatitur të prishë të gjitha marrëdhëniet me Rusinë dhe se Moska duhet “menjëherë” të përjashtohet nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë FMN-në dhe Bankën Botërore.
 
Zelensky shtoi se Rusia po përdorte metoda agresive në tregjet botërore ndërsa luftonte dhe këto institucione nuk ishin vend për ta.
 
Ai tha se  shpresonte se takimi i radhës do të zhvillohej në një nga qytetet në Ukrainë që ishte rindërtuar me mbështetjen e FMN-së dhe Bankës Botërore.