Botë
Dita Ndërkombëtare e shtëpisë tonë të përbashkët, planetit TOKË!
22.04.2022 11:09
Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën më 22 prill...

Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën më 22 prill për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit. Dita e Tokës për herë të parë është festuar në vitin 1970, ndërsa tani përfshin ngjarje të koordinuara globalisht nga Rrjeti i Ditës së Tokës.
Në vitin 1969 në një Konferencë të UNESCO-s në San Francisko,, aktivisti i paqes John McConnell propozoi një ditë për të nderuar Tokën dhe konceptin e paqes, që së pari herë do të festohet më 21 mars 1970, ditën e parë të pranverës në hemisferën veriore. Kjo ditë e natyrës u sanksionua më vonë në një shpallje të shkruar nga McConnell dhe e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm U Thant në OKB. Një muaj më vonë një Senator i Shteteve të Bashkuara Gaylord Nelson propozoi idenë për të organizuar një mësim mbarëkombëtar mbi mjedisin më 22 prill 1970. Ai angazhoi një aktivist të ri, Denis Hayes, që të ishte Koordinatori Kombëtar për çështjen në fjalë. Nelson dhe Hayes e riemërtuan ngjarjen "Dita e Tokës". Nelsonit më vonë iu dha çmimi Medalja Presidenciale e Lirisë në njohje kontributit dhe punës së tij. Dita e parë e Tokës u përqëndrua në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1990, Denis Hayes, koordinatori kombëtar i vitit 1970, e mori mbi vete organizimin e ngjarjes ndërkombëtare në 141 vende.
Në 2016-n, në Ditën e Tokës, nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe rreth 120 vende të tjera u nënshkrua “Marrëveshja e Parisit”. Ky nënshkrim plotësoi një kërkesë kryesore për hyrjen në fuqi të draft traktatit historik të mbrojtjes së klimës, të miratuar me konsensusin e 195 vendeve të pranishëm në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në vitin 2015, në Paris.
Komunitete të shumta krahas kësaj dite, festojnë edhe Javën e Tokës, e që përfshin një javë të tërë veprimtarish të përqendruara në çështjet mjedisore me të cilat përballet bota.
Mund të jemi të distancuar për shkak të gjendjes aktuale, por përmes mediave sociale ne jemi më të bashkuar se kurrë. Sot gëzojmë shumë informata të cilat na ndihmojnë që të kujdesemi për planetin tonë.
Preokupimi kryesor i kohëve të fundit është ngrohja globale dhe lufta ndaj saj.Si mund të ndihmojmë në luftën kundër ngrohjes globale?
Duke ndërmarrë veprime më kuptimplotë për të bërë ndryshime pozitive dhe duke i dhënë zë disa rregullave që duhet të respektohen, ne mund ta shpëtojmë Planetin tonë duke e ndihmuar që të frymojë me lirshëm dhe më shëndetshëm. Për këtë ne duam të ndajmë me ju disa këshilla themelore pëmes fotove që mund t’i shihni bashkangjitur në këtë post. Nuk ka rëndësi se në cilin vend jetojmë, ne mund të fillojmë të marrim masa parandaluese. E kemi këtë fuqi!
