Botë
Dështojnë bisedimet Kosovë-Serbi, s’ka marrëveshje për targat
22.04.2022 11:15
Kosova e Serbia nuk u pajtuan të nënshkruajnë një marrëveshje finale për targat....

Kosova e Serbia nuk u pajtuan të nënshkruajnë një marrëveshje finale për targat. Nga takimi gjithë ditor në Bruksel me ndërmjetësim të Miroslav Lajçak, palët nuk arritën të pajtoheshin për një zgjidhje për këtë çështje as dje, në ditën kur skadoi afati i marrëveshjes së përkohshme për targa, që u arrit më 30 shtator..
“Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojë kështu që mund të them që marrëveshja për targat, apo ideja e arritjes së një marrëveshjeje për targa ka përfunduar pa sukses. Ne do të trajtojmë lirinë e lëvizjes në të njëjtën mënyrë siç e trajton edhe pala serbe. Ndërkaq për tabelat KM, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale do të ofrohet një opsion se si do të kalojmë te targat normale”, tha kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në mungesë të një marrëveshjeje të përhershme për targat, regjimi i mbulimit me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa do të vazhdojë.
“Marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator është ende në fuqi. Duhet të jeni të qetë. Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”, tha ai.
Petkoviq akuzoi Kosovën se nuk ka qenë e gatshme për asnjë propozim gjatë gjashtë muajve sa kanë funksionuar grupet punuese për targat. Por, një akuzë të tillë e ka bërë edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se Serbia nuk ishte e gatshme të pranonte asnjë zgjidhje të përhershme për targat dhe as nuk pranoi që të ketë një afat prej 30 ditësh për të gjetur një zgjidhje.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, u ka kërkuar palëve që të takohen në ditët e ardhshme për të biseduar për çështjen e targave. Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.
Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.
