Botë

Macron shton presionin ndaj Le Pen në një debat televiziv

22.04.2022 12:37

Presidenti francez Emmanuel Macron pati qëndrim agresiv në debatin televiziv kundër kandidates së ekstremit të djathtë Marine Le Pen...

Presidenti francez Emmanuel Macron pati qëndrim agresiv në debatin televiziv kundër kandidates së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, që sipas sondazheve arriti të bindë shumicën e shikuesve të votojnë për të, edhe pse ai ende shihet si arrogant. Ndër pikat që i dhanë Macronit epërsi ishte argumenti për lidhjet e Le Penit me Rusinë dhe për t’u hequr grave muslimane të drejtën për të mbajtur shamitë e kokës në publik.
 
Në përballjen e tyre të vetme përpara se elektorati të thotë fjalën e tij në balotazhin e së dielës, presidenti Macron u shfaq mjaft i vendosur.Ai argumentoi se një kredi që partia e Le Penit mori në vitin 2014 nga një bankë çeko-ruse e vë atë në një pozitë të papërshtatshme për t’u përballur me Moskën.
 
Emmanuel Macron tha gjithashtu se planet e kandidates kundër imigracionit për të ndaluar gratë muslimane në Francë të mbajnë shami në publik do të shkaktonin “luftë civile” në vendin që ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore.
 
Marine Le Pen, nga ana tjetër, u përpoq të tërhiqte votuesit që po luftojnë me çmimet në rritje mes pasojave të luftës së Rusisë në Ukrainë.Ajo tha se ulja e kostos së jetesës do të ishte përparësia e saj nëse zgjidhet si presidentja e parë grua e Francës ndërsa e portretizoi veten si kandidate për votuesit që nuk mund të përballojnë jetesën.
 
Le Pen ka kërkuar në këtë fushatë të zbusë imazhin e saj dhe të heqë etiketimin si ekstremiste, siç është shprehur prej kohe kritika për të dhe partinë e saj.Në kontrast Macroni u shfaq veçanërisht i sigurt në vetvete, duke kaluar ndonjëherë në arrogancë – një tipar që kritikët e tij e kanë theksuar vazhdimisht.Ai qëndronte ulur me krahët e kryqëzuar teksa dëgjonte Le Pen të fliste.
 
Sipas një sondazhi, rreth 59% e atyre që e ndoqën debatin thanë se Macroni ishte më bindës. Kjo sugjeron se përballja gati tre orëshe nuk do të ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve, me Macronin që kryeson sipas të gjitha sondazheve të mëparshme.Anketat e votuesve kanë treguar një zgjerim të epërsisë së Macronit ndaj Le Penit deri në 56% me 44%, që nga raundi i parë më 10 prill dhe analistët thonë se debati nuk ka gjasa të ndryshojë synimet e votimit në favor të Le Penit.