Botë

Dy muaj luftë në Ukrainë, mijëra të vdekur e miliona refugjat

24.04.2022 14:53

Pikërisht në ditën e Pashkëve ortodokse, lufta në Ukrainë shënoi dy muaj që nga fillimi...

Pikërisht në ditën e Pashkëve ortodokse, lufta në Ukrainë shënoi dy muaj që nga fillimi, duke lënë pas mijëra të vdekur, varre masive, miliona të zhvendosur, e qytete të kthyera në gërmadha.
 
Megjithate presidenti rus Vlladimit Putin i cili ka urdhëruar fillimin e luftës në Ukrainë gjeti kohë të merr pjesë në liturgjinë e pashkëve në Moskë. Patriarku rus Kirill e ka mbështetur operacionin ushtarak rus në Ukrainë.
 
Ndërkohë Ukrainasit po festojnë Pashkët me lutje për ata që janë në vijë të frontit dhe ata që janë të bllokuar në qytetet siç është Mariupoli. Kryetari i Mariupolit ka deklaruar se 20 mijë civilë janë vrarë në jug të qytetit port, ndërsa janë shfaqur edhe imazhet satelitore që shfaqin varrezën masive në periferi të Mariupolit.
 
Ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky, nga Katedralja Shën Sofia në Kiev, ka thënë se Ukraina do të tejkalojë errësirën që e ka sjellë lufta e paprovokuar e Rusisë.         
         
“Sot ne ende besojmë në fitore të re në Ukrainë dhe të gjithë jemi të bindur se nuk do të shkatërrohemi nga ligësia. Ne jemi duke tejkaluar kohët e errëta këtë ditë dhe - shumica prej nesh – nuk jemi të veshur me rroba të ndritshme, por jemi duke luftuar për një ide të ndritshme”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.                                                                                              
 
Ukraina pret përkrahje me të madhe ushtarake nga SHBA-të, pas vizitës në Kiev të sekretarit amerikan të shtetit Blinken dhe minsitrit të mbrojtjes Lojd Ostin. Nga ana tjetër siç ka njoftuar inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar Ukraina ka zmbrapsur sulmet ruse në lindje.
 
“Ukraina ka zmbrapsur sulme të shumta ruse në rajonin lindor, Donbas, këtë javë”, thotë Inteligjenca Mbrojtëse e Mbretërisë së Bashkuar në raportin e saj të fundit.
 
“Pavarësisht se Rusia ka marrë disa territore, rezistenca e Ukrainës ka qenë e fortë dhe kjo ka shkaktuar kosto të konsiderueshme për forcat ruse. Morali i dobët rus dhe koha e kufizuar për t’u ripajisur dhe riorganizuar forcat nga ofensivat e mëparshme ka të ngjarë të pengojnë efektivitetin luftarak rus”.
 
Ndërkohë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE ka thënë se po punon për lirimin e disa anëtarëve të Misionit Special të Monitorimit (SMM), të cilët janë arrestuar në lindje të Ukrainës.
 
“OSBE-ja është jashtëzakonisht e shqetësuar që një sërë anëtarësh të misionit kombëtar të SMM-së janë privuar nga liria në Donetsk dhe Luhansk”, njoftoi kjo organizatë.
 
OSBE po përdor të gjitha kanalet e mundshme për të lehtësuar lirimin e stafit të saj. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU