Maqedoni

Mickovski kundër Petkovit: Nuk pranojmë si bullgarë të hyjmë në BE

24.04.2022 18:35

Deklarata e kryeministrit bullgar për pezullimin e mundshëm të vetos...

Deklarata e kryeministrit bullgar për pezullimin e mundshëm të vetos, që Maqedonia të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel, nuk është mirëpritur nga kreu i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski. Sipas tij, në këtë mënyrë kontesti dypalësh bëhet pjesë e kornizës negocuese për anëtarësin në BE dhe kjo nuk duhet të lejohet. Frikësohet nga asimilimi i mundshëm, përkatësisht bullgarizimi.  
 
“Kontestet dypalëshe janë vetëm probleme bilateral dhe assesi nuk mund te jenë multilaterale përkatësisht probleme të vendeve anëtare të BE-së me vendet që janë aspirante, përkatësisht kandidate. Kështu që, nëse kjo Qeveri vë firmën në atë dokument, qytetarët duhet ta dijnë se, mund të ndodh konferenca e parë ndërqeveritare por negociatat nuk kanë për filluar kurrë, deri sa ne nuk pranojmë të asimilohemi dhe si bullgarë të hyjmë në kuadër të BE-së”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski.
 
Petkov: Hapim rrugën, kemi 10 vjet për kushtet tona  
 
Në ndërkohë, kryeministri bullgar Kiril Petkov, ashtu si një ditë më parë, edhe në intervistën e radhës për BTV-në thotë se, në të dy vendet, ka palë që përpiqen të dëmtojnë procesin negocues dhe marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes. Sqaron opinion bullgar se pezullimi i mundshëm i datës nuk rrezikon kërkesat e palës bullgare, por vendos Maqedoninë e Veriut në binarë drejt BE-së, që sipas tij është edhe interes i Bullgarisë.
 
“Duhet të themi se Republika e Maqedonisë së Veriut s’do të jetë në BE edhe 10 vjetë. Ka shumë kapituj në rrugën e saj drejt Evropës. Ne prsh. duhet të vendosim kushte për Kushtetutën para kapitullit të parë. Por në këtë mënyrë me heqjen e vetos i krijojmë hapësirë Maqedonisë së Veriut por, në këto kapituj të veçantë mund të vemë të gjitha kushtet që na duhen. Do të kemi 10 vjet që të punojmë sëbashku. Dmth qasja duhet të jetë më e mençur”, theksoi kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov      
 
Në ndërkohë vazhdon aktiviteti diplomatik për arritjen e qëllimit që të konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet deri në fund të qershorit. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, të hënën do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën Federale të Gjermanisë, për të riafirmuar qëndrimin e Gjermanisë në lidhje me dosjen tonë evropiane dhe mbështetjen në lidhje me nevojën urgjente për zhbllokimin e procesit negociues me BE. 
 
SHPËTIM NUREDINI