Zgjedhjet në Francë, Macron fiton garën, Le Pen: Vazhdoj luftën politike
Emmanuel Macron ka fituar edhe pesë vite të tjera si president i Francës....

Emmanuel Macron ka fituar edhe pesë vite të tjera si president i Francës pas një fitoreje bindëse ndaj rivales Marine Le Pen, e cila siguroi pjesën më të madhe të votave për të djathtën ekstreme.
Por ai trashëgon një vend të fragmentuar, me Le Pen e cila ka rritur pjesën e saj të votës në krahasim me vitin 2017.
Macron pranoi të dielën se shumë francezë votuan vetëm për të bllokuar të djathtën ekstreme nga qeverisja e vendit dhe jo në mbështetje të programit të tij.
“E di që shumë bashëkatdhetarë votuan për të bllokuar idetë e ekstremit të djathtë, dua t’i falënderoj dhe t’u them se jam i vetëdijshëm se kjo votë më detyron për vitet në vijim. Që tani e në vazhdim, unë nuk jam më kandidat i një partie, por president i të gjithëve. U them atyre që votuan të djathtën ekstreme se përgjegjësia ime dhe e ekipit tim do të jetë të adresoj shqetësimet e tyre. Do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe barazi mes burrave dhe grave. Ne duhet të tregojmë respekt sepse vendi ynë është kaq i ndarë… askush nuk do të lihet mënjanë. Kjo epokë e re nuk do të vazhdojë me metodat e 5 viteve të fundit. Lufta në Ukrainë tregon se ne po jetojmë kohë tragjike” – tha Presidenti i Frncës, Emanuel Macron.
Macron u rizgjodh president me 58% të votave, duke shënuar herën e parë në 20 vjet që një president francez fiton një mandat tjetër në detyrë. Megjithatë, ai fitoi me më pak mbështetje sesa në vitin 2017, kur mundi Marine Le Pen me 66% të votave. Kjo tregoi se ka ende një përpjekje midis votuesve francezë për të bllokuar të djathtën ekstreme nga pushteti në një “front republikan”.
Macron u shpreh se e dinte që ishte përgjegjësia e tij të gjente përgjigje për “zemërimin” që bëri që miliona francezë të votonin për Le Pen.
Pavarësisht humbjes së saj, 53-vjeçarja Le Pen tha se pjesa e saj e konsiderueshme e votave shënonte ende një fitore, pasi janë në rritje nga viti 2017.
Partia e saj e ekstremit të djathtë Rally National mori mbështetjen e saj më të lartë me 41% të votave.
Le Pen pranoi humbjen, ndërsa tha se do të vazhdojë luftën e saj politike në Francë.
Në zgjedhjet e 2017, Le Pen mori 33.9% të votave dhe kur ajo kandidoi në 2012, ajo fitoi 17.9% në raundin e parë. Le Pen tha se “rezultati historik” do t’i lejojë ata, të rrisin numrin e deputetëve në dhomën e ulët të parlamentit, Asamblenë Kombëtare. (Merita Gashi, TVM2)
