Maqedoni

Ka marrëveshje, 12% rritje pagash, të mërkurën nxënësit pritet t’i kthehen mësimit

25.04.2022 20:13

Rritje prej 12 % të pagave në arsim nga korriku, kjo është marrëveshja e dakorduar pas takimit të sotëm prej më shumë se tre orësh mes SAShK-ut dhe qeverisë.....

Rritje  prej 12 % të pagave në arsim nga korriku, kjo është marrëveshja e dakorduar pas takimit të sotëm prej më shumë se tre orësh mes SAShK-ut dhe qeverisë. Siç theksoi kryetari i SAShK-ut Jakim Nedellkov kjo përqindje u vendos pas analizave të shumta për atë se sa shteti mund të ndaj para në periudhën në të cilën po kalojnë. Negociatat me ministrat e arsimit, punës dhe politikës sociale dhe kryeministrin, Nedellkov  I cilësoi si të  vështira dhe të mundimshme.
 
“Kemi analizuar kërkesat tona të dorëzuara në ministri. Megjithatë, u pajtuam me pikëpamjet dhe brenda mundësive të shtetit dhe brenda asaj që mund të veçohet, arritëm në një përqindje të përbashkët të rritjes së pagave që do të fillonte jo më vonë se korriku me plotësimin e buxhetit suplementar. Bëhet fjalë për një rritje prej 12 për qind të pagave aktuale me shtesat që vijojnë në bazë të ligjeve dhe të Kontratës Kolektive. Ky është maksimumi që kemi mundur të arrijmë në këtë moment”, tha Jakim Nedelkov, kryetar i SASHK-ut.
 
Megjithatë fjalën përfundimtare SAShK për ndërprerjen e grevës do ta thotë nesër në mbrëmje pas konsultimeve me anëtarësinë dhe nëse përgjigjja është pozitive nxënësit të mërkurën do të kthehen në shkollë.
 
Ministrat e Arsimit dhe Punës dhe Politikës Sociale, Jeton Shaqiri dhe Jovanka Trençevska, presin që nga e mërkura shkollat dhe çerdhet të funksionojnë normalisht. Sipas tyre,  me këtë rritje pagash në arsim, nuk ka rrezik për inflacion shtesë dhe rrezikim të buxhetit dhe paralajmëroi se mjetet e nevojshme do të sigurohen me rebalancin e thesarit të shtetit.
 
Nëse viti shkollor do të vazhdojë të kompensojë periudhën e humbur do të vendoset më tej.
 
“Do të bisedojmë edhe me Ministrinë e Arsimit. Analizat do të tregojnë nëse ka nevojë apo plani mund të zbatohet. Edhe herë tjetër kemi qenë në këtë situatë me programe të shkurtuara përkatëse për përfundimin e vitit shkollor”, tha Nedelkov.
 
Marrëveshja e sotme në mes të Qeverisë dhe SAShK-ut përfshin bashkëpunimin e përbashkët për krijimin e një metodologjie për rritjen e pagave, e cila duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe që do të aplikohet nga viti 2023 dhe që do t'i nënshtrohet marrëveshjes së përgjithshme kolektive. Qeveria dhe SAShK u pajtuan që subjekti i harmonizimit të Marrëveshjes Kolektive, të përfshijë pagesën e rregullt të pagës për pushime ( k-15), e cila do të fillojë të paguhet nga viti 2023, pas marrëveshjes së përgjithshme kolektive me sektorin publik.