Rusia sulmon stacionet e trenave në Ukrainë, 5 viktima
Sirenat e luftës janë dëgjuar sërish në qytetet rreth Ukrainës....

Sirenat e luftës janë dëgjuar sërish në qytetet rreth Ukrainës, përfshirë Lvivin në kufi me Poloninë.
Autoritetet ukrainase raportuan se 5 stacione hekurudhore në Ukrainën qendrore dhe perëndimore ishin vënë në shënjestër të sulmeve. 5 persona humbën jetën dhe 18 të tjerë mbetën të plagosur.
Në Krasne, afër Lvivit, u godit një objekt që merrej me furnizimin me energji elektrike për linjat ajrore.
Sakaq, trupat ruse kanë vijuar bombardimet ndaj impiantit metalurgjik në qytetin-port të Mariupolit dhe sipas Institutit për Studime të Luftës, me bazë në SHBA, mund të jenë duke u përgatitur për një ofensivë të re në fabrikën ku janë strehuar forcat e mbetura të rezistencës dhe një sërë qytetarësh.
Ka dështuar ndërkohë tentativa për evakuimin e civilëve që gjenden në bunkerët e fabrikës së çelikut Azovstal.
Rusia tha se u pajtua për një armëpushim të përkohshëm në atë zonë të Mariupolit, por ushtria ukrainase dhe civilët nuk kanë pranuar të dalin nga frika se e gjithë kjo mund të ishte një kurth, pasi nuk ka kushte të mjaftueshme për sigurinë.
