Botë

Donfried: Kosova dhe Serbia të vijojnë dialogun, Rusia do destabilizim të rajonit

26.04.2022 14:47

Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit për çështje europiane dhe euroaziatike, Karen Donfried...

Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit për çështje europiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, nisi sot ng Kosova turin ballkanik gjatë të cilit do të vizitojë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Nga Prishtina ajo përcolli mesazhin se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit.
 
“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që Kosova të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme dhe kjo jo vetëm pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por mund edhe të shfrytëzohet nga Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor.”, deklaroi Donfried.
 
Ajo u takua në Prishtinë më kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, me të cilët siç tha kishte biseduar për hapat e ardhëm të dialogut dhe rëndësinë e përparimit në këtë proces. Zyrtarja amerikane vlerësoi udhëheqjen e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe gatishmërinë për të strehuar edhe refugjatë nga Ukraina. Kryeministri Kurti e vuri theksin te kontributi i Kosovës për sigurinë rajonale.
 
Në vizitën e saj 4-ditore në Ballkan, ndihmëssekretarja e shtetit shoqërohet nga i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe zyrtarë të tjerë. Pas Kosovës, ajo viziton Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.