Botë

Luftime të ashpra në Donbas, bombardimet pengojnë evakuimin e civilëve

26.04.2022 15:34

Luftimet në Donbas kanë penguar evakuimin e civilëve të cilët janë të izoluar nëpër bodrume në zonat e luftimeve...

Luftimet në Donbas kanë penguar evakuimin e civilëve të cilët janë të izoluar nëpër bodrume në zonat e luftimeve, ata gjejnë veten të bllokuar në vijën e frontit, pasi evakuimet shtyhen për shkak të bombardimeve. I tillë është edhe ky grup i filmuar në Rubizhnë të Donbasit, që prisnin makinën për t'i evakuuar. Ata kanë pritur tashmë pesë orë, por evakuimi nuk mund të bëhet mes flakëve. 
 
"Nuk e di, kam dyshim, ata tashmë duhet të jenë këtu.",- tha një banor i Rubzhinws-Donbas.
 
"Hyni, hyni të gjithë, tani bombardohet.",- theksoi një banor i Rubzhinës-Donbas.
 
Është bombarduar edhe fabrika e qytetit në Zaporizhia, raportohet për viktima, por numri i saktë nuk dihet ende. “Qyteti i miqësisë" - vendi ukrainas në kufijtë e Rusisë dhe Bjellorusisë tani është shënjestër e sulmeve dhe në vijën e parë të luftimeve. Fshati Senkivka dikur ishte vendi i festivaleve që festonin miqësinë midis Ukrainës, Rusisë dhe Bjellorusisë. 
 
Ndërkohë, Rusia vazhdon me deklarata kërcënuese duke paralajmëruar një rrezik “të konsiderueshëm” të përhapjes së konfliktit të armatosur përtej Ukrainës me mundësi që konflikti të bëhet bërthamor, pasi Rusia akuzoi edhe NATO-n për përfshirje në luftë.
 
“Rreziqet tani janë të konsiderueshme. Rreziku është serioz, real. Dhe ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë. NATO, në thelb, është përfshirë në një luftë me Rusinë përmes një përfaqësuesi dhe po e armatos atë përfaqësues. Lufta do të thotë luftë dhe kjo mund të përshkallëzohet.”,- deklaroi ministri rus i punëve të jashtme, Sergey Lavrov.
 
Ukraina nga ana tjetër ironizon deklaratat e Lavrovit dhe kërkoi më shumë armatim për rezistencë.
 
"Rusia humb shpresën e fundit për të trembur botën që të mos mbështesë Ukrainën. Kështu flitet për një rrezik 'real' të Luftës së Tretë Botërore. Kjo do të thotë vetëm se Moska ndjen humbjen në Ukrainë. Prandaj, bota duhet të dyfishojë mbështetjen ndaj Ukrainës në mënyrë që ne të mbizotërojmë dhe të mbrojmë sigurinë evropiane dhe globale.”,- tha ministri ukrainas i punëve të jashtme, Dmity Kuleba.
 
Kherson, është i vetmi qytet i madh që Rusia ka marrë nën kontroll. Njerëz të armatosur rusë morën kontrollin e ndërtesës së këshillit, tha kryebashkiaku i Kherson. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Ukrainën. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, u zotua “të ndihmojë Ukrainën për të fituar luftën kundër pushtimit të padrejtë të Rusisë dhe të ndërtojë mbrojtjen e Ukrainës për sfidat e së nesërmes. Ai tha se për këtë do ta lëvizë token dhe qiellin. Në mbështetje të Ukrainës janë edhe vendet e BE-së.
 
FARIJE DUATI BAKIJU