Mali i Zi, alarm i rremë për bombë në 41 shkolla

27.04.2022 12:49

Ministria e Arsimit në Malin e Zi....

Ministria e Arsimit në Malin e Zi njoftoi se në 41 shkolla fillore në vend është raportuar për një bombë dhe për shkak të panikut që është krijuar, mësimi është ndërprerë në të gjitha shkollat fillore.

“Në territorin e shkollës janë vendosur shumë bomba. Ne gjithmonë kemi ëndërruar për hakmarrje. Do të marrim hak, do të vijmë në shkollë. Ne do të vrasim këdo. Askush nuk do të mbetet gjallë. I gjithë qyteti do të rrjedhë gjak”, është mesazhi i frikshëm që kanë marrë një numër i madh shkollash fillore.

Por pas kontrollit të policisë,  është konstatuar se në shkollat e Rozhajës nuk ka mjete shpërthyese.

Njësia speciale e policisë nuk ka gjetur eksploziv as në objektin e kryeqytetit, as në shkollat në Cetinje, ka thënë për Portalin RTCG, zëdhënësi i kryeqytetit, Ivan Banoviq.

Sot herët në mëngjes janë evakuuar shkollat në Podgoricë, Nikshiq, Tivar, Berane, Bijelo Polje, Kolasin, Herceg Novi, Budva, Cetinje, Andrijevicë, Ulqin, Kotor, Rozhajë, e Nikshiq.