Putin beson ende se negociatat do i japin fund konfliktit në Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin...

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, se ai ende shpreson për negociata që do t’i jepnin fund konfliktit në Ukrainë.
“Pavarësisht faktit që operacioni ushtarak po vazhdon, ne ende shpresojmë se do të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje në rrugën diplomatike”, i tha Putin Guterresit.
Putin theksoi se negociatorët rusë dhe ukrainas kanë arritur atë që ai e përshkroi si “përparim të madh” në bisedimet në Stamboll muajin e kaluar. Por, ai shtoi se përpjekjet janë penguar nga pretendimet për mizoritë e kryera nga forcat ruse në qytetin Buça, që gjendet në periferi të Kievit.
“Ka pasur provokim në fshatin Buça, ku ushtria ruse nuk është përgjegjëse për asgjë që ka ndodhur aty”, tha Putin.
Putin po ashtu u pajtua “në parim” që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i OKB-së të përfshihet në evakuimin e civilëve nga fabrika Azovstal në Mariupol të Ukrainës, u tha në deklaratën e lëshuar nga Kombet e Bashkuara.
Gjatë takimit, Guterres ka kritikuar veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke i cilësuar si shkelje flagrante të integritetit territorial të Ukrainës.
Shefi i OKB-së po ashtu i ka bërë thirrje Rusisë që të lejojë evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut, Azovstal në Mariupol.
Putin brenda takimit me shefin e OKB-së disa herë përmendi Kosovën duke krahasuar shpalljen e pavarësisë së saj me zhvillimet në Ukrainë.
Guterres duke tentuar të gjejë arsyetim përballë presidentit rus ka thënë se OKB-ja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Por Putin është kundërpërgjigjur se OKB-ja nuk e ka njohur, por Kosovën e ka njohur si shtet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
