Maqedoni

Shqyrtohet raporti i Avokatit të Popullit, pozita dhe opozita me mendime të kundërta

27.04.2022 14:18

Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara rreth raportit vjetor të Avokatit të Popullit...

Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara rreth raportit vjetor të Avokatit të Popullit. Opozita raportin e ka cilësuar katastrofik dhe sipas tyre, krahas vërejtjeve të apostrofuara në të, nuk është ndërmarrë gjë për të eliminuar këto mangësi të sistemit. 
 
“Avokati i Popullit, duke punuar në kuadër të kompetencave të tij, ka ardhur në përfundim për parregullsi të shumta në punën e institucioneve. Është e qartë se vërejtjet e Avokatit të Popullit nuk janë pranuar apo zbatuar sepse institucionet ende po punojnë kundër indikacioneve. Qeveria nuk i jep asnjë mbështetje institucionit të Avokatit të Popullit dhe vazhdon t'i udhëheq proceset në drejtim që cenon të drejtat e qytetarëve.”,- tha Dajanço Eftimov nga VMRO-DPMNE.
 
“Raporti është katastrofik. Një raport me kaq shumë vërejtje, me kaq shumë konstatime që institucionet e sistemit nuk i marrin parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit, do të thotë se është një raport katastrofik.”,- tha Halil Snopçe nga ASh.
 
Për pushtetin raporti duhet të shërbejë për tejkalimin e problemeve.
 
“Raporti vjetor është i mirë që të gjithë ne si deputetë të shohim problemet reale aktuale dhe të punojmë për tejkalimin e tyre. Është fakt se asnjë ligj nuk është ideal dhe nuk mund të zgjidhë problemet që ekzistojnë në realitet që nga miratimi dhe më pas zbatimin e tyre në praktikë.”,- theksoi Lidija Tasevska nga LSDM.
 
Edhe pse Institucionit të Avokatit të Popullit i ishte besuar detyrimi për të qenë një mekanizëm i jashtëm për kontrollin e policisë dhe shërbimeve para disa vitesh ky mekanizëm nuk funksionon theksoi zëvendës-avokati i popullit, Jovan Andonovski.
 
“Më duhet ta kaloj topin tani në kuvend sepse tash e dy vjet ai mekanizëm nuk funksionon sepse nuk mund të zgjidhen përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që duhet të zgjidhen nga kuvendi, kështu që ne si institucion nuk mund të kemi mundësinë të realizojmë detyrimin tonë ligjor e ai është të kompletojmë kontrollin e jashtëm mbi punën e MPB-së të shërbimeve dhe sektorin e kontrollit të brendshëm.”,- tha zëvendës-avokati i popullit, Jovan Andonovski.
 
Komisioni për Sistem Politik ka vazhduar gjatë gjithë ditës me shqyrtimin e raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.
 
NAIM RAMADANI