Maqedoni

Analistët: Qeveria dështoi në luftën kundër korrupsionit

27.04.2022 14:32

Lufta në Ukrainë shtoi edhe problemet e qeverinë Kovaçevski.....

Lufta në Ukrainë shtoi edhe problemet e qeverinë Kovaçevski. Kjo bëri që kjo qeveri në 100 ditët e para të tregon shumë pak rezultate, vlerësuan panelistët në “Argument” në TVM2. Por, edhe përkundër krizës, problemi më i madh me të cilin nuk po mundet të ballafaqohet siç duhet kjo qeveri është korrupsioni, thonë ata. 
 
“E vërteta është që shumë probleme i kanë trashëguar, ndërsa ka edhe disa që janë shtuar, mirëpo korrupsioni nuk trashëgohet. Korrupsioni duhet të ballafaqohet. Në këtë rast qeveria e kryeministrit të deritanishëm, Dimitar Kovaçevski, njëjtë si ajo e mëparshmja, ka dështuar.”,- theksoi politikologu, Xhenur Iseni.
 
“Edhe sugjerimet nga institucionet më të larta ndërkombëtare janë se RMV, por edhe vendet e rajonit, qeveritë e tyre janë të ngufatur nga veprime të larta nga korrupsioni. Një qeveri që nuk është në gjendje të luftojë me të gjitha mjetet e korrupsionin, ajo qeveri nuk mund të funksionojë në veprimet e veta.”,- tha analisti politik, Ilir Luma.
 
Analistët: Politika tenton të kontrollojë gjyqësorin
 
Për të përballur me korrupsionin, qeveria njëherë e përgjithmonë duhet të insistojë në reformat në drejtësi. Por, sipas panelistëve, politika ende po tenton të mbajë kontrollin në gjyqësor. 
 
“Gjyqësori është një shtyllë krejt e veçantë e një shteti. Ata duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur jashtë ndikimit politik dhe jo politika të diktojë se ky gjyqtar do ta gjykojë këtë rast.”,- u shpreh analisti politik, Ilir Luma.
 
“Ne ende e kemi Gjykatën Kushtetuese që është ndër gjykatat më të larta, ku kemi mungesë të pesë gjykatësve dhe kjo po stërzgjatet gati për tre muaj për shkak të përplasjes së pozitës dhe opozitës se cila parti i propozon gjykatës të jetë pjesë përbërëse e asaj gjykate dhe kjo është dëshmi se këto ende nuk heqin dorë se partitë vet të emërojnë gjykatës.”,- theksoi politikologu, Xhenur Iseni.
 
Panelistët gjithashtu vlerësuan se Kovaçevski, si kryeministër, ende është në hije të paraardhësit të tij, Zoran Zaev.
 
ERSAN PAJAZITI