Maqedoni
Strugë, shumica e shkollave kanë vazhduar grevën
27.04.2022 14:43
Shkollat e Strugës janë gjysmë të mbushura, vetëm një pjesë e profesorëve realizojnë orët mësimore..

Shkollat e Strugës janë gjysmë të mbushura, vetëm një pjesë e profesorëve realizojnë orët mësimore, pjesa tjetër janë ende në grevë. Edhe numri i nxënësve që shkojnë në shkolla është i vogël. Drejtorët thonë se po mundohen të krijojnë kushte pune në interes të nxënësve, sidomos të maturantëve për të cilët kanë kaluar të gjithë afatet.
“E gjithë kjo është në dëm të nxënësve, tashmë janë thyer të gjitha afatet edhe në lidhje me provimin shtetëror të maturës, nuk janë mbajtur këshillat e klasave, nuk janë vlerësuar nxënësit.”,- tha drejtoresha e Shkollës së Mesme “Niko Nestor” – Strugë, Keti Jankoska.
Nga Sindikata rajonale thonë se edhe përkundër presioneve nga pushteti, ata do të vazhdojnë grevën derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
“Ka disa lëvizje nga ana e drejtorëve, kërkojnë nga mësimdhënësit, nga kujdestarët, nga prindërit dhe vet nxënësit që të fillojë procesi mësimor, por jam i bindur që edhe po të ishin nxënësit këtu, mësimi nuk do të mbahej.”,- theksoi kryetari i bordit të SAShK-ut në rajonin Strugë, Dibër, Qendër Zhupë e Vevçan, Nebi Arifi.
Drejtorët e shkollave thonë se mosmarrëveshjet dhe greva kanë shkaktuar kaos në arsim. Disa nxënës ndjekin vetëm disa lëndë, ndërsa pjesa tjetër nuk shkojnë aspak në shkollë. Ende nuk dihet se si do të kompensohen orët e humbura.
ILMIE ZHAKU
